Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se plagosja e sekretarit të PD-së në Kavajë, Bledar Okshtuni, në zyrën elektorale të kampit blu në Kavajë është atentat kundër Partisë Demokratike dhe gjithë opozitës së bashkuar. Basha tha se përgjegjës i kësaj ngjarjeje është kryeministri Edi Rama pasi e di që më 25 Prill do të humbë zgjedhjet.

“Sonte Kavaja është përballur me një ngjarje të rëndë, një atentat kundër PD-së, kundër Aleancës për Ndryshim nga një kryeministër që e di se të dielën ai humb, Kavaja fiton dhe Shqipëria fiton. Një njeri, i cili ka humbur çdo lloj kufiri njerëzor dhe që sot hesht ndërkohë që njerëzit e tij me dhunën dhe aktet e atentatit jo thjesht ndaj aktivistit tonë, por ndaj demokracisë tregon se ndaj këtij regjimi ka ardhur fundit. Kërkojnë të frikësojnë Kavajën. Kërkojnë të frikësojnë PD-në, kërkojnë të na mbyllin gojën, nuk kemi frikë, do të marrin përgjigjen e merituar me votë të dielën në Kavajë dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

Bledar Okshtuni mbeti i plagosur këtë të hënë pasi u qëllua me armë zjarri në këmbë. Ngjarja sipas policisë ka ndodhur si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, megjithatë ende motivet janë të panjohura.

I njohur për autoritetet deri më tani është autori i dyshuar i kësaj ngjarje, i cili është shpallur në kërkim. Ai është Ndriçim Jonuzi, alias Ndriçim Tahiri. Ky person rezulton me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e krimit kundër jetës në një vend të BE-së.

Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili ka paralajmëruar se do të shkojë në Kavajë sapo të përfundojë disa aktivitete të planifikuara në Elbasan. /tvklan.al