Kandidati i PS-së për Kavajën, Etjen Xhafaj, ka reaguar pas ngjarjes që ndodhi zyrën elektorale të PD-së, ku mbeti i plagosur sekretari i saj, Bledar Okshtuni.

Xhafaj ka dënuar ngjarjen dhe bën thirrje që të mos politizohet. Kandidati i PS-së, i cili është njëkohësisht zv/ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, apelon autoritetet që të veprojnë me shpejtësi dhe të arrestohen autorët.

“Ngjarje si kjo e sotmja nuk përfaqësojnë kulturën dhe qytetarinë e Kavajës. Jam i bindur se ngjarja nuk ka lidhje me politikën dhe ne që garojmë për zgjedhjet e 25 Prillit duhet të jemi të parët që jo vetëm ta dënojmë aktin e sotëm, por edhe mos ta politizojmë këtë ngjarje. Zgjedhjet duhet te jenë festë dhe kështu do të jenë në Kavajë e gjithë Shqipërinë. Autoritetet duhet të veprojnë me shpejtësi dhe autorët duhet të vendosen një orë e më parë para drejtësisë. Shërim sa më të shpejtë për djalin e përfshirë në ngjarje”, tha Xhafaj.

Bledar Okshtuni mbeti i plagosur këtë të hënë pasi u qëllua me armë zjarri në këmbë. Ngjarja sipas policisë ka ndodhur si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, megjithatë motivet janë endetë panjohura.

I njohur për autoritetet deri më tani është autori i dyshuar i kësaj ngjarje, i cili është shpallur në kërkim. Ai është Ndriçim Jonuzi, alias Ndriçim Tahiri. Ky person rezulton me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e krimit kundër jetës në një vend të BE-së.

Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili ka paralajmëruar se do të shkojë në Kavajë sapo të përfundojë disa aktivitete të planifikuara në Elbasan./tvklan.al