Ashtu siç pati njoftuar, Presidenti Ilir Meta shkoi në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë, aty ku pasditen e kësaj të hëne mbeti i plagosur 27-vjeçari, Bledar Okshtuni. Kreu i shtetit ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama dhe ka thënë që ngjarja që ndodhi sot të jetë “gjaku i fundit për zgjedhjet”.

Fajtor për situatën Presidenti bën kryeministrin Edi Rama, ndërsa tha se ai ka “çuar rrugaçët për të hyrë në shtëpinë e PD-së”.

“Kam një paralajmërim për kryeministrin e bandave të Shijakut dhe të Dibrës që shkatërruan zgjedhjet e kaluara dhe që na kanë katandisur në këtë situatë. Të jetë gjaku i fundit për zgjedhjet. Ti jo Kushtetutë që nuk njeh, por ti nuk i di as rregullat e shqiptarit se nuk i di rregullat e shqiptarit. Shqiptarit po i hyre në shtëpi të bën atë gjë që nuk ta pret mendja. Ti ke çuar rrugaçët për të hyrë në shtëpinë e PD-së, të opozitës, për t’i dhunuar. Shyqyr Zotit që ka shpëtuar dhe i urojmë të shkuara. I keni çuar banditët tërë natën nëpër Shqipëri. Ca i nxorre nga burgu tërë natën. U ke mbushur mendjen se gjoja do kesh mandatin e tretë. Prandaj thirri mendjes para se të jetë vonë dhe para se të merren vendime historike për të ardhmen e Shqipërisë për 100 vitet që vijnë. Lëri qytetarët që të votojnë të lirë. Boll e shkele Kushtetutën, boll e shkele Kodin. Ti e dhunove marrëveshjen e 5 Qershorit. Ti ke bërë me qindra krime zgjedhore tërë këto ditë. Mos kujto se Kavaja dhe Shqipëria mund të poshtërohen në këtë mënyrë. Je ti që fute politikanët me 5 emra me 10 emra me 100 probleme. Unë zonja Duma ju përshëndes për fushatën tuaj të qetë dhe shumë qytetare dhe vazhdoni në këtë mënyrë. I ftoj qytetarët e Kavajës që të ruajnë qetësinë, të kujdesemi edhe për shëndetin e të plagosurit”.

Presidenti pati thirrje për kreun e Policisë së Shtetit ndërsa tha se duhet t’i lerë arsyet se kjo ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, por sepse tashmë “loja është serioze”.

“Shpresojmë që policia të ketë ndërhyrë se nuk kam shumë informacione. Ato motivet e dobëta t’i lerë policia. Ardi Veliu lëri motivet e dobëta. Është serioze tani loja, nuk ka shaka dhe mos i lini ata që janë në kërkim të bredhin nëpër Shijak dhe Sukth sepse do ketë veprime spektakolare që nuk u ka vajtur mendja. A ka trima që duan ta prekin, ta provojn! Ka çuna problematikë, po kur të bëhet i gjithë populli problematik së bashku me Presidentin problematik, ku do shkosh ti Edi Rama. Nuk ka vrimë gjëkundi që të nxë ty. Thirri mendjes se jemi bërë faqja e zezë e botës”, tha Meta./tvklan.al