Vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët e autorit kryesor të atentatit të Laprakës ku humbi jetën 17-vjeçarja Griselda Gjikola dhe u plagos i dashuri i saj, Erion Bengo.

I arrestuari është Ronald Muzhaqi, një nga këta dy personat që duken në këtë foto të siguruar nga TV Klan që tregon dy të rinjtë që largohen me vrap menjëherë pas krimit.

Në këto imazhe duket se si autorët të veshur sportivë, me xhupa dhe kapuçë në kokë largohen me shpejtësi në rrugicat e lagjes ku edhe ndriçimi është i paktë. I arrestuari besohet se ka ndihmuar 19-vjeçarin që kreu krimin të largohet nga vendi i ngjarjes. Identifikimi i tij është bërë nga këqyrja e kamerave të sigurisë që gjenden në zonën ku ndodhi edhe ngjarja e rëndë.

Në kërkim vazhdon të jetë i dyshuari kryesor, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur nga policia. Burime nga grupi i hetimit i thanë Tv Klan se njëri nga autorët ka hapur zjarr sapo çifti i të rinjve ishte futur në makinë. Ata kanë qëlluar në drejtim të drejtuesit të mjetit duke lënë të kuptohet se Bengo ishte edhe shënjestra. Hetimet kanë zbuluar se 10 ditë para ngjarjes,  autori  ishte konfliktuar me Erion Bengon për shkak se kishte ngacmuar 17–vjeçaren dhe Bengo e kishte qëlluar me shuplakë. 23-vjeçari i plagosur ndodhet ende në spital, ku e ka kaluar rrezikun për jetën.

Tv Klan