“Prishje pazaresh mes kryetarit të bashkisë dhe ish-shoferit”

Një shpërthim tronditi Bashkinë e Lushnjes këtë të martë. Në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, u hodh një granatë, shpërthimi i së cilës plagosi atë dhe sekretaren e bashkisë. Autor i këtij krimi sipas policisë dyshohet se është ish-shoferi i kryetarit të Bashkisë.

Menjëherë pas ngjarjes reagoi edhe Partia Demokratike. Në një deklaratë për mediat selia blu thotë se ngjarja e ndodhur sot është  pasqyra e vërtetë e drejtimit të vendit nga Edi Rama në çdo nivel, në qeverisjen qendrore dhe atë lokale.

Sipas PD-së goditja e kryebashkiakut të Lushnjes është prishje pazaresh mes tij dhe ish-shoferit pasi së bashku kanë ndarë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni.

“Të gjitha rrethanat tregojnë se goditja e kryebashkiakut të Lushnjës është prishje pazaresh mes tij dhe ish shoferit, me të cilin ka ndarë bashkë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni. Është fakt i njohur në Lushnjë, se ish shoferi i kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një trafikant droge dhe prostitucioni, ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes. Çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij”, thuhet në deklaratën e PD.

Më tej ajo shton se “ky rast është tregues i degradimit të shtetit të ndërtuar prej Edi Ramës, si dhe një fakt më shumë se njerëzit me të cilët ai përfaqësohet, ble vota dhe mban pushtetin janë llumi i shoqërisë”.

Për Partinë Demokratike ka vetëm një mënyrë për të dalë nga kjo krizë përfaqësimi.

“Këto janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë, të cilat do të largojnë nga drejtimi i vendit kryeministrin me rekordet më të zeza të lidhjeve me krimin dhe korrupsionit dhe për t’u dhënë qytetarëve një qeveri që punon për mirëqenien dhe sigurinë e tyre”./tvklan.al