Gaqo Gjini ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet dhe për këtë arsye efektivë të Policisë së Vlorës sëbashku me forcat speciale RENEA ndërmorën këtë të enjte një operacion në shtëpinë e 38-vjeçarit në Radhimë.

Pikërisht gjatë kësaj kohe, Gjini, në përpjekje për t’i rezistuar arrestimit, tentoi që të godiste me mjete prerëse një prej punonjësve të policisë. Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivi e neutralizoi 38-vjeçarin duke e goditur me armë një herë në këmbë.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit sqaron se Gjini u transportua për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin dhe është jashtë rrezikut për jetën. Po sipas policisë, 38-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për veprat penale ”Plagosje e rëndë me dashje”, ”Kundërshtim i punonjësve të policisë”, dhe ”Armëmbajtje pa leje”.

Puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje vijon nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Vlorë dhe SHÇBA-së.

“Policia e Shtetit në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik, po ushtron kontrolle të shumta në të gjitha zonat me risk për evidentimin dhe kapjen e personave me precedentë që janë aktualisht në territorin e vendit apo që mund të vijnë gjatë verës nga radhët e emigrantëve. Këto kontrolle janë shtrirë dhe po vijojnë me forca e shërbime shtesë të policisë kriminale dhe agjentë civilë, për të garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt në qytetet si Durrësi, Fieri, Vlora, Lezha e Shkodra”

, sqaron policia në njoftimin e saj për shtyp.

/tvklan.al