Greqia është tronditur nga një ngjarje e rëndë që ka ndodhur të martën. Një 20-vjeçare është torturuar dhe më pas është vrarë në mënyrë brutale përpara fëmijës 11 muajshe dhe bashkëshortit të saj. Mësohet se e reja, e identifikuar me emrin Caroline, ishte britanike dhe jetonte në një lagje të Athinës me bashkëshortin e saj. Sipas asaj që shkruajnë mediat, fillimisht e reja u torturua ndërsa më pas u mbyt derisa vdiq. Ngjarja ndodhi orët e para të mëngjesit të së martës.

Hajdutët, të cilët mendohet se janë tre vetë lidhën fillimisht burrin e shtëpisë, një 32-vjeçar, pilot helikopteri. Më pas shkuan në dhomën e të resë dhe e kapën teksa flinte me vajzën e vogël. “Kishin kapuçë. Nuk di sa vetë ishin. Isha i lidhur. Ishin të paktën 3 persona”, ka dëshmuar bashkëshorti i viktimës sipas Protothema. Hajdutët për të shmangur çdo zhurmë vranë edhe qenin e familjes.

Dyshohet se ata mund të kenë hyrë në shtëpi nga një dritare e vogël. Synimi ishte të gjenin paratë dhe bizhuteritë në shtëpi. Nga njëra anë autoritetet po përpiqen të zbulojnë identitetin e tre grabitësve. Dyshohet se ata e dinin shumë mirë se ku kanë qenë të fshehura paratë. Për këtë dyshohet se kanë parë për ditë të tëra lëvizjet e familjes dhe kanë regjistruar çdo detaj të jetës së tyre.

Madje mendohet se autorët e kanë njohur mirë çiftin pasi mund të kenë qenë në dijeni të faktit se Caroline ishte njohëse shumë e mirë e arteve marciale. Ata e kishin lidhur aq fort saqë ajo të mos kishte pasur mundësi të lëvizte. Pasi ka tentuar të bërtasë, ata i kanë mbyllur gojën derisa e asfiksuan. Bashkëshorti 32-vjeçar i të resë ka treguar se në disa momente ka dëgjuar hajdutët t’i bërtisnin gruas së tij duke i kërkuar paratë ose do t’i vrisnin fëmijën.

Kjo ngjarje e rënë ka bërë që të reagojnë menjëherë edhe autoritetet. Ata kanë ofruar një shpërblim prej 300 mijë Eurosh për informacione që do të çojnë në arrestimin e autorëve të grabitjes./tvklan.al