Vetëflijohen nënë e bijë, në gjendje të rëndë vajza tjetër e familjes

FOTO NGA VENDNGJARJA


Vetëflijohen nënë e bijë, në gjendje të rëndë vajza tjetër e familjes

20:21 02/07/2020

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku nënë e bijë janë gjetur të vdekura brenda banesës së tyre.

Burime për tvklan.al thonë se trupat e pajetë janë gjetur në një banesë në Kombinat pranë shkollës “Myslym Keta”. Viktimat janë Zhaneta Josifi 56 vjeçe dhe Anisa Josifi 30 vjeçe.

Brenda apartamentit u gjet në gjendje të rëndë edhe vajza tjetër e familjes, Blerta Josifi 34 vjeç, e cila është dërguar në spital.

Paraprakisht hetuesit dyshojnë se nënë e bijë mund të jenë vetëflijuar. Burime të tjera konfidenciale thonë për tvklan.al se viktimat ishin Dëshmitare të Jehovait. Sipas të dhënave, vajza mendohet se ka qenë e vdekur prej disa ditësh.

Sipas Policisë së Tiranës, njoftimi është dhënë nga vëllai i Zhaneta Josifit, i cili njoftoi Komisariatin Nr.6 duke i thënë se motra e tij nuk i përgjigjej në telefon dhe nuk i hapte derën.

Nëna dhe vajzat jetonin të vetme, pasi bashkëshorti i 56-vjeçares dhe babai i dy motrave është ndarë nga jeta kohë më parë.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, i cili ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes, tha për mediat në një prononcim të shkurtër se në banesë u gjetën shënime të ndryshme me përmbajtje fetare.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore, të cilat kanë rrethuar zonën.

Trupat e pajetë të dy të ndjerave janë dërguar në morg, ku do të bëhet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. /tvklan.al




Të ngjashme