Një histori e rëndë abuzimi është zbuluar në një familje shqiptare në një fshat të Korinthit në Greqi. Shtypi grek raporton se një vajzë e mitur është abuzuar seksualisht prej 4 vitesh nga babai i saj.

Sot vajza është 16 vjeç, por makthi i saj ka nisur kur ka qenë 12 vjeç. Babai i saj 45-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, bënte punë të ndryshme dhe ishte i alkoolizuar.

Në rastet kur nuk punonte, qëndronte në shtëpi ndërsa bashkëshortja e tij dilte të kërkonte për punë. Kjo shënoi edhe fatkeqësinë e vajzës së mitur, e cila ra pre e abuzimit seksual nga babai i saj. 16-vjeçarja i tha policisë greke se kishte heshtur gjatë gjithë kësaj kohe nga frika e babait, për të cilin tha se ishte i dhunshëm sa herë konsumonte alkool.

Përveç jetës së saj, ajo tha se kishte frikë edhe për jetën e vëllait të vogël dhe nënës. Por adoleshentja vendosi të tregonte ditët e fundit kur vetëm pak ditë më parë babai i saj kishte abuzuar sërish me të. Ajo ia tregoi të vërtetën nënës së saj, e cila shkoi menjëherë në polici dhe denoncoi bashkëshortin.

Autoritetet bën menjëherë arrestimin e 45-vjeçarit shqiptar. Përpara hetuesve, ky i fundit pranoi krimin monstruoz dhe fajin për sjelljen e tij ia faturoi alkoolit.

I kërkoj falje vajzës dhe familjes time. Kur pija nuk e dija se çfarë po bëja”, tha ai. 45-vjeçari do të dalë para gjykatës për masë sigurie. /tvklan.al