Një ngjarje e rëndë ka ndodhur me një familje nga Gjilani i Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht.

Tre anëtarët e familjes Haliti, Elfete, Afrim dhe Ferzinaze janë helmuar në Shqipëri nga ushqimi. Tvklan.al ka mësuar nga burime policore se ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në Gjirin e Lalzit.

Mësohet se 3 anëtarët e familjes Haliti kishin shkuar në Gjirin e Lalzit në banesën e tyre. Ata kishin konsumuar kërpudha dhe pas disa orësh kishin shfaqur probleme shëndetësore. Sipas të njëjtit burim, Elfete, Afrim dhe Ferzinaze Haliti i kishin mbledhur kërpudhat privatisht. Të tre shkuan në qendrën shëndetësore të Manzës dhe u mjekuan për helmim.

Pas disa orësh dolën dhe u kthyen në banesën e tyre në Gjirin e Lalzit. Por ata ndjenë sërish shqetësime shëndetësore dhe gjendja e tyre u rëndua.

Të tre u dërguan sërish në qendrën shëndetësore të Manzës, por për fat të keq njëri prej tyre ndërroi jetë e pas disa orësh ndërruan jetë edhe dy të tjerët.

Paraprakisht mendohet se shkak i vdekjes së 3 anëtarëve të familjes Haliti ka qenë helmimi nga kërpudhat. /tvklan.al