Opinion- Ngjarjet e Dhjetorit të vitit 1990 sollën pluralizmin politik në Shqipëri dhe i dhanë fund një epoke të diktaturës komuniste.

Pas disa ditësh protesta të vazhdueshme Presidenti i vendit, Ramiz Alia pret në pallatin e Brigadave një përfaqësi studentësh prej 30 personash për të negociuar pasditen e 11 Dhjetorit. Studentët duket se kishin të qartë platformën që do të ndiqnin. Biseda mes tyre vijoi për rreth 2 orë, por asnjë nga televizionet nuk dha ndonjë njoftim, por befas në edicionin e orës 20:00 ndërkohë që studentët ishin në takim me Presidentin, TVSH jep lajmin e parë rreth takimit.

Ishte e admirueshme mënyra dhe toni i zërit me të cilin ata u përballen me Presidentin dhe arrijnë për herë të parë pas 50 vitesh të ndajnë Presidentin e Shtetit nga Sekretari i Parë i Partisë së Punës. Pas kësaj bisede, Ramiz Alia ishte i vetmi person që kupton se për partinë e tij do të vinin ditë të vështira që më vonë do ta shkatërronin dhe transformonin Partinë e Punës në Parti Socialiste në vitin 1991.

Takimi i studentëve me Presidentin më 11 Dhjetor u cilësua si një akt mjaft i guximshëm dhe moment i rëndësishëm që kishte sjellë jo vetëm thelbin e ndryshimit për historinë e Shqipërisë. Situata në mbrëmjen e 11 Dhjetorit ishte e tensionuar në “Qytetin Studenti” dhe e tillë ishte edhe në shumë qytete të vendit. Njerëzit kërkonin një ndryshim të menjëhershëm më të shpejtë dhe më evidente se sa hapin e parë drejt pluralizmit politik. Një profesor i quajtur Leka Bezhani bën thirrje që askush të mos largohej dhe askush të mos shkonte në shkollë derisa njeriu që urdhëroi dhunën, Hekuran Isai të jepte dorëheqjen. Kjo deklaratë e Bezhanit gjen mbështetjen e studentëve. Ndërkohë kardiologu Sali Berisha, ekonomisti Gramoz Pashko apo gazetari Preç Zogaj dhe intelektualë të tjerë mbyllen në një dhomë në “Qytetin Studenti” për të menduar se çdo të bënin më pas. Një ditë më pas në shumë qytete të vendit fillojnë protestat masive që kaluan në akte dhune. Ata u drejtuan drejt  librarive që kishin librat e Enver Hoxhës.

Në të gdhirë të datës 12 Dhetor studentët dhe shumë njerëz të tjerë u nisën në drejtim të qytetit, ndërsa një pjesë e vogël studentësh sëbashku me intelektualë të tjerë, vendosën të takoheshin për krijimin e programit minimal të Partisë Demokratike, një partie që u anonçua se do të shpallej në orën 16:00. Të gjithë sëbashku shkojnë në shtëpinë e Gramoz Bashkos, i cili kishte në shtëpi një kompjuter dhe hartojnë programin. Dhe pikërisht në orën që ishte paralajmëruar në një tribunë të improvizuar dhe përpara një deti njerëzish u bë deklarimi i kësaj partie që kishte në të tre shtresa, studentë, intelektualë dhe punëtorë. Pas këtij momenti filloi një epokë e re ku pjesa më e madhe e atyre që e gjenin veten në krah të PD kishin filluar të angazhoheshin për propagandimin dhe shtrirjen e kësaj partie. Por edhe pse kjo parti fitoi qytetet e mëdha, ishte tejet e vështirë për një pjesë të mirë të qyteteve, të cilët nuk pranonin në mënyrë kategorike t’iu flitej për krijimin e një partie të re. Në godinën 15, e cila ishte edhe rezidenca provizore e PD, kishin filluar të vinin plot intelektualë, por edhe njerëz të cilët donin ta testonin shanset e kësaj partie drejt pushtetit. Pas një mungese 5 ditore të çuditshme shkon në “Qytetin Studenti” edhe një personazh tjetër, Edi Rama profesori i pikturës, i cili ishte i njohur për pikëpamjet e tij kundër regjimit të asaj kohe. Ai nuk qëndron më shumë se 30 minuta në rezidencën provizore të PD dhe tërheq derën për të mos u kthyer më kurrë. Ai u evidentua që në atë kohë si një nga kundërshtarët më të mëdhej të PD. Në vend fillojnë protesta të dhunshme dhe e ndodhur në këto kushte, PD nuk di nëse duhet t’i mbështesë apo të mbaj një qëndrim kundër.

Por ndërkohë që PD si parti e re tentonte të krijonte strukturën, kishte nisur edhe konkurrenca dhe evidentoheshin ata që do të ishin liderët e ardhshëm dhe grupimet që mbështesnin njërin apo tjetrin. 50 ditë më vonë Sali Berisha do të zgjidhej kryetari real i Partisë Demokratike.

Në Tiranë, por edhe në rrethe PD fillon të shihet si shpresa e vetme e shqiptarëve, ndërkohë që kishte edhe një mbështetje shumë të madhe nga ata që mund të quheshin intelektualë të moderuar. Por në momentet e para të krijimit, Partisë Demokratike i duhej të përballej me Partinë e Punës që ishte forca kryesore në vend dhe që po përpiqej ta bllokonte dhe nga ana tjetër i duhej të përballej me grupimin që kryesohej nga Edi Rama. Kjo lëvizje e re kërkonte lirimin e të burgosurve politikë, rishikimin e figurës së Enver Hoxhës dhe një sërë kërkesash të tjera, gjë që e vendos Partinë Demokratike në situatë të vështirë.

Ndërkohë në Veri të Shqipërisë, në Shkodër Dom Simon Jubani, i cili kishte vuajtur prej 32 vitesh burgimin komunist, kishte vendosur të organizonte Krishtlindjet në mbështetje të kësaj ringjallje shpirtërore të shqiptarëve. Nuk kishte asnjë objekt kulti, por Dom Simon Jubani arrin të organizojë një festë ku do të mblidheshin mijëra persona dhe do të merrnin pjesë jo vetëm katolikët, por edhe myslimaët, ortodoksët dhe mijëra njerëz të tjerë nga e gjithë Shqipëria./tvklan.al