Ngjarjet e 1997 janë nga më të rëndat e historisë së Shqipërisë. Edhe pas kaq vitesh, këto ngjarje mbartin ende mister dhe mungesë transparence. Në serinë e tretë të emisionit “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu, kushtuar ngjarjeve të 1997-s trajtohet periudha duke filluar nga data 10 deri më 28 Mars. Një periudhë e tensionuar, kur qeveria e pajtimit kombëtar filloi të ushtrojë aktivitetin e saj, por ndërkohë situata në të gjithë vendin doli jashtë kontrollit dhe qeveria kontrollonte vetëm një trekëndësh të vogël.

Më 10 Mars të 1997-s, presidenti Berisha pranon emrin e socialistit Bashkim Fino për Kryeministër, për qeverinë e pajtimit kombëtar. Bashkim Fino ishte shokuar nga propozimi që i kishte ardhur befas për të qenë në krye të qeverisë, në një moment aq delikat për vendin. Një ditë përpara se Fino të merrte propozimin, pranë Gjirokastrës kishte patur shkëmbim zjarri dhe për pasojë ishin vrarë 6 qytetarë. Kryeministri u nis nga Gjirokastra drejt Tiranës për të marrë misionin më të vështirë, stabilizimin e shtetit shqiptar.

Në të vërtetë, në realitetin e pakuptueshëm shqiptar, teza e vjetër e ndarjes veri-jug, një tezë jo realiste, gjeti hapësirë dhe arriti të penetrojë deri në mediat më të rëndësishme, siç ishte edhe CNN.

Kryeqyteti shqiptar u izolua nga pjesa tjetër e botës, anuloi fluturimet dhe mbylli aeroportin. Më 11 Mars, Presidenti Berisha telefonon Finon dhe i thotë se do të niste një helikopter për ta marrë dhe për të nisur punën për stabilizimin e shtetit. Ndërkohë që Fino përgatitej të merrte detyrën, në Tiranë nisin të hapen depo brenda qytetit, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Kryeministri fillon konsultat për ngritjen e qeverisë dhe në parlament kërkon votbesim.

Më 14 Mars, Tirana ndizet flakë nga krismat e armëve, duke nisur nga periferia e deri në qendër dhe qeveria e pajtimit kombëtar me ato pak forca që kishte, arrinte të mbulonte vetëm një pjesë të qendrës së qytetit. Ishte tension i jashtëzakonshëm dhe askush nuk dinte se cila ishte zgjidhja. Qytetarë të paidentidikuar nisën të gjuajnë drejt Presidencës, nga ku Garda i kundërpërgjigjet dhe një person humb jetën.

Si pasojë e kaosit, shpërthen edhe burgu i Tiranës, ku ishte i burgosur edhe kryetari i Partisë Socialiste i asaj kohe, Fatos Nano. Ai ishte ndër të fundit që u largua nga burgu dhe u dërgua në Spille të Kavajës për të qenë i sigurt. Ndërkohë, në gjithë Tiranën persona të armatosur e banda të ndryshme nisin të thyejnë bizneset e bibliotekat.

Shtetet më të fuqishme si SHBA, Franca apo Gjermania nisën të bënin evakuimin e menjëhershëm të shtetasve të tyre. Komitetet tentonin të shndërroheshin në një faktor në politikën shqiptare, duke kontestuar edhe qeverinë e pajtimit kombëtar. Më 17 Mars, Komiteti e Shpëtimit Publik, pas një mbledhje të tensionuar vendosi të lëshojë një ultimatum për dorëheqjen e Presidentit Sali Berisha, duke i lënë afat vetëm 3 ditë.

Përpara datës 20 Mars të 1997-s, një grup qytetarësh dëshmojnë një nga aktet më të rëndësishme të qytetarisë, duke dalë në shesh me lule dhe të kapur përdore. Ata mbështesnin forcat e rendit dhe bënin thirrje për paqe. / tvklan.al