Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, mbi ngjarjet e vitit 1997, realizuar në vitin 2006, ka ngjallur reagime të shumta tek qytetarët shqiptarë. Përmes serisë së katërt trajtohen ngjarjet duke filluar nga mbytja e anijes me mbi 100 persona, e deri tek zgjedhjet e 29 Qershorit të 1997-s.

Pas mbytjes së anijes, në fillim të muajit Prill, Kryeministri italian, Romano Prodi i kërkon Kryeministrit të Shqipërisë, Bashkim Fino një takim urgjent. Fino i përgjigjet se ishte jashtë Tirane, por Prodi këmbëngul dhe udhëton drejt Gjirokastrës. Mbetet ende sot mister nxitimi i Prodit për të takuar Kryeministrin e Shqipërisë. Pas takimit, kryeministrat deklaruan se do të bashkëpunonin për zbardhjen e së vërtetës. Madje qeveria italiane premtoi edhe mbështetje ushtarake.

Makinat ushtarake në rrugët e Shqipërisë ishin dukshëm më të shumta në numër, se sa makinat civile që qarkullonin në atë kohë. Në këtë periudhë, pas gati 60 vjetësh, Leka Zogu rikthehet në Shqipëri me një pasaportë mbretërore, ndërkohë që vendi ishte në kaos.

Më 21 Maj, gazeta “The Independent” botoi për herë të parë një përgjim telefonik të Tritan Shehut, kryetarit të Partisë Demokratike dhe Paulo Forestit, Ambasadorit italian në Shqipëri, ku dukeshin manovra politike të Italisë për të shmangur negociatorin e OSBE dhe për të vendosur në vend të tij një italian. Pas publikimit të kësaj bisede, Foresti u shkarkua dhe u kthye në Itali.

Ndërkohë, Presidenti Sali Berisha kishte dekretuar 29 Qershorin si datën e zgjedhjeve dhe kishte deklaruar se nëse Partia Demokratike do të humbiste zgjedhjet, ai do të largohej nga detyra. Partitë politike ndërmorën turin e tyre elektoral dhe më 4 Qershor, Presidentit Sali Berisha i bëhet atentati i parë në Shkallnur të Durrësit. Një granatë u hodh në drejtim të tij, por truprojet e Gardës që e shoqëronin ndërhynë menjëherë dhe çaktivizuan bombën.

Gjatë fushatës, po ashtu edhe kreu i Partisë Socialiste në atë kohë, Fatos Nano, arriti kulmin kur premtoi se do të kthente 100 % paratë e depozituara në firmat piramidale qytetarëve. Pas procesit të zgjedhjeve, ende pa u shpallur rezultati, në selinë e Partisë Socialiste kishte nisur kënga dhe ishin të bindur se fitorja ishte e tyre. Në një konferencë të improvizuar shtypi, Fatos Nano deklaroi se Partia Socialiste kishte fituar zgjedhjet dhe së shpejti do të ndërtohej qeveria dhe do të stabilizohej vendi.

Ndërkohë mbështetësit e monarkisë pretendonin se Leka I kishte fituar më shumë se 51 % të zgjedhjeve dhe se regjimi duhej të kthehej nga Republikë, në Monarki. Kjo bindje e tyre nuk gjeti mbështetjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili deklaroi se monarkistët kishin fituar rreth 30%.

Por çfarë ishte në të vërtetë 1997-ta?

Kishte të paktën 4 versione të hedhura publikisht dhe të mbrojtura nga mbështetës të ndryshëm të saj. Një version, i cili është hedhur nga mbështetësit e Partisë Demokratike dhe dirigjentët e saj, është se 1997-ta ishte një rebelim komunisto-bloshevik.

Mbështetësit e opozitës së asaj kohe, e quanin 1997-n si revolucion demokratik të vonuar. Ndërkohë që nuk kanë munguar edhe dy versione të tjera. Ai i revoltës për humbjen e parave dhe një i katërt, i cili e quan inskenim të shërbimeve të huaja dhe të faktorit ndërkombëtar.

Askush nuk mund të përcaktojë në të vërtetë se çfarë ishte 1997-ta, por një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë shpreheshin se një përgjegjësi të madhe për ato ngjarje kishte klasa politike shqiptare, por përveç saj edhe gjithë shoqëria shqiptare./ tvklan.al