Brenda javës, ndryshime të thella në kupolën e Policisë

U shfaq i tronditur nga dy ngjarjet tragjike të ditëve të fundit që shkaktuan 8 viktima, por Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi thotë se ato ishin zhvillime që nuk mund të parandaloheshin vetëm nga policia.

“Policia e Shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve. Unë nuk mund të kem përgjegjësi morale për një gjë që është e zakonshme. Unë do të ndihesha mirë që si ministër të ulja numrin e vdekjeve.”

Lidhur me ngjarjen në Velipojë, ku si pasojë e një sherri për shezlongët mbetën të vrarë 4 persona dhe 2 të plagosur, Ministri Çuçi tha se policia nuk ka patur denoncim për kërcënim jete, por vetëm ankesë nga palët për dhënien e lejes.

“Policia nuk jep leje për shezlong dhe nuk jep leje për mënyrën se si do të shpërndahen plazhet. Problemi konkret lidhej me faktin se kush e ka pasur më parë dhe kush e ka sot dhe këtu duhet të ndërhyjnë institucionet që merren duke filluar që nga pushteti vendor. Në rastin konkret nuk ka pasur denoncim të këtyre dyve që u përfshinë në ngjarjen në Velipojë, jua them me bindje të plotë. Mund të ketë pasur një ankim pse ia keni dhënë lejen këtij, por nuk është policia ajo që jep leje. Por denoncimin që jam kërcënuar për shkak të kësaj gjëje nuk ka pasur.”

Më shumë sesa tek uniformat blu, apo legjislacioni, që tha se është një ndër më të ashprit, sa i përket dënimeve për drejtuesit e automjeteve apo ata që mbajnë armë pa leje, Ministri i Brendshëm problemin e sheh tek mungesa e zbatimit të ligjit nga prokurorët e gjyqtarët.

“Të dyja rastet fatale kërkojnë sigurisht në radhë të parë një reflektim nga të gjithë, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit. Po mbi të gjithë, duhet të reflektojnë gjykatësit që nuk kanë kaluar ende procesin e Vettingut dhe që operojnë rëndom me parimin ‘Kap ça të kapësh’. Sepse Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë, ata i dënon gjykata.”

Megjithatë, policia do të riformatohet dhe dy ngjarjet e fundit e përshpejtuan procesin që ishte menduar për në Shtator.

“Brenda kësaj jave, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të Policisë së Shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit të Republikës së Shqipërisë.”

Ministri Çuçi paralajmëroi hetim të pasurisë për drejtuesit me makina luksoze që përsëritin shkeljet, si dhe monitorim me dronë super inteligjentë për të kapur në kohë reale shkelësit e kufijve të shpejtësisë.

Tv Klan