Ngjashmëria e kostumit sportiv dhe mjekra i kushtojnë shtrenjtë 23-vjeçarit

Ngjashmëria e kostumit sportiv dhe mjekra i kushtojnë shtrenjtë 23-vjeçarit

21:08 05/05/2020

9 muaj arrest shtëpie për tritolin në parukeri, del alibia e të akuzuarit

Ledion Caca tregon se ka 9 muaj në arrest shtëpie, i akuzuar për shkatërrim prone. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në Gusht 2019 në një parukeri në pronësi të zonjës, B.SH, në Nikël, të cilës iu vu tritol.

Ledioni thotë se parukierja dyshon tek ai duke u “nisur nga pjesa e mjekrës.”

Por, në kohën që është vendosur tritoli, ai thotë se ka qenë në një club me muzikë live në Durrës, në afërsi të Shkozetit.

Jam arrest shtëpie që prej 9 muajsh, kërkoj drejtësi nga shteti dhe emisioni “Stop” që kjo çështje të zbardhet, sepse nuk kam asnjë lloj kontakti apo diçka që mund t’i kem vendosur tritol. Nuk kam pasur asnjë lloj konflikti me zonjën, as me policinë dhe as me drejtësinë”, thotë 23-vjeçari që më parë ka punuar në një mobilieri.

“Me 16 është vendosur tritoli në parukeri, me 17 pasdite ka ardhur policia. Shkova në komisariat për të sqaruar çështjen dhe aty më arrestuan direkt.”

“Stop” ka siguruar dosjen penale të prokurorisë së Krujës, ku janë edhe deklarimet e të dëmtuarës, e cila pohon se nga kamerat e parukerisë dallohet një person me tuta sportive e kapuç në kokë, që sipas saj, mund të jetë Ledion Caca.

Sipas informacioneve të oficerit të policisë gjyqësore, Oltion Gjoni, më 16 Gusht 2019 rreth orësh 1 të natës është njoftuar se ka shpërthyer eksplozivi në parukeri.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë së parukerisë, shikohet një person me kostum sportiv pambuku ngjyrë të zezë me mbishkrimin Adidas me ngjyrë blu, me kapuç në kokë, duart i ka me doreza ngjyrë gri dhe të verdhë. Në dorë mban një kallëp ngjyrë të zezë, të cilin e ndez me çakmak dhe e vendos tek qepeni metalik i parukerisë. Sipas deklaratave të pronares së parukerisë, ditën e nesërme, duke parë edhe kamerat e sigurisë, ajo ka deklaruar se Ledion Cacën e ka parë shumë herë të veshur me kostum sportiv, të cilin e ka pasur veshur dhe kur ka vënë lëndën eksplozive tek parukeria. Ledioni mban mjekër dhe ka mbuluar kokën me kapuç, por nga pamjet filmime i duket mjekra dhe është munduar gjatë gjithë kohës të mbajë kokën poshtë me qëllim që mos ta kapi kamera”, thuhet në dosje.

Mbi këto dyshime paraprake tek ngjashmëria e kostumit sportiv dhe mjekra në fytyrë, kjo vepër penale për shkatërrim prone me eksploziv u regjistrua në ngarkim të Ledion Cacës.

Përveç deklaratave të personave që përfshihen në këtë ngjarje dhe disa veprimeve procedurale, organi i akuzës nuk ka bërë asnjë veprim tjetër për të identifikuar personin që vendos eksplozivin në Nikël. Në dosje mungon akti i ekspertimit për identifikimin e personit.

Ledioni thotë se ka prova që nuk ka qenë ai autor i ngjarjes, prova të cilat i ka siguruar vetë dhe ia vë në dispozicion drejtësisë.

Qazim Caca, xhaxhai i Ledionit, thotë se nipi i tij nuk ka lidhje fare me këtë ngjarje. Një element shumë i rëndësishëm janë pamjet e kamerave të sigurisë të një karburanti në Shkozet të Durresit, ku Ledion Caca ka qenë në një lokal nate në ditën dhe orën e tritolit në Nikël.

Këtë provë, familjarët e Ledionit ia kanë dorëzuar policisë dhe prokurorisë së Krujës, por asgjë nuk ka lëvizur.

Bashkë me vëllain ne kemi shkuar në Durrës, në lokalin ku pretendohet se kanë qenë atë natë që ka ndodhur ngjarja. I gjithë stafi i lokalit, mbi 6-7 veta dhe pronari na kanë deklaruar se ata kanë qenë këtu në muzikë live, edhe pamjet pastaj i kemi marrë tek karburanti që ka kamera në ambiente të jashtme”, thotë Qazim Caca.

Ai sqaron se pamjet ia ka dorëzuar oficerit të policisë gjyqësore. “Edhe e kam sinjalizuar që nëse do me marrë provat për ta zbardhur këtë ngjarje, do të shkosh tek karburanti dhe të sekuestrosh pamjet. Sipas asaj që thotë oficeri i policisë gjyqësore, ata i kanë sekuestruar pamjet, por ne nuk po shohim gjë përderisa Ledioni vazhdon të jetë në arrest shtëpie./tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo