Në një intervistë të zgjeruar në emisionin “Pro Business” në TV Klan, kreu i agrobiznesit shqiptar Agim Rrapaj theksoi situatën e vështirë  në të cilën ndodhet bujqësia shqiptare për shkak të efekteve të ngricave dhe motit të keq të fundit. Mijëra hektarë me bimë të arave janë tharë ose janë jashtë parametrave të pritur të rendimentit, duke shkaktuar humbje të mëdha për fermerët.

Sipas deklaratave, zonat më produktive të vendit, si Divjaka, kanë pësuar dëme të rënda, veçanërisht në kulturën e patates. Po ashtu, qershitë në Dibër dhe mollët në Korçë janë prekur rëndë, duke e vënë të gjithë sektorin e pemëve në një situatë shumë të vështirë.

“Një pjesë e dëmeve mund të rikupërohet, por kërkohet ndihmë sepse fermerët nuk kanë qenë të përgatitur. Ka edhe raste kur gjithçka ka mbaruar dhe nuk ka mundësi rikuperimi, duke e detyruar sektorin të presë sezonin e ardhshëm,” u shpreh ai.

Për të përballuar krizën, Agrobiznesi Shqiptar kërkon që fermerët të aplikojnë masivisht në Skemën Kombëtare të Mbështetjes, në mënyrë që të mund të kërkohet nga qeveria një Akt Normativ emergjent për kompensimin e dëmeve. Një tjetër kërkesë urgjente është shpejtimi i hapjes së Skemës Kombëtare të Investimeve, e cila parashikohet të fillojë në korrik. 

“Nuk duhet të presim deri në korrik, sepse humbja e kohës do të rrisë humbjet,” u theksua.

Kreu i Agrobiznesit Shqiptar theksoi disa probleme kryesore që pengojnë zhvillimin e sektorit:

Informaliteti në bujqësi, ku rreth 72% e fermave në Shqipëri janë të paformalizuara, duke i lënë jashtë çdo mbështetjeje qeveritare. Fragmentimi i tokës gjithashtu mbetet një problem ku nga 340 mijë parcela para vitit 1990, sot kemi 1.8 milion parcela, gjë që e bën punimin e tokës joefikas.

Mungesa e censusit të bujqësisë, ky regjistrim, që duhej të përfundonte në 2021, ende mungon, duke e bërë të pamundur planifikimin efektiv. Burokracia në financime, edhe pse ka fonde të disponueshme (si ato te Banka Botërore), proceset e ndërlikuara i bëjnë ato të paarritshme për fermerët.

Për të përmirësuar situatën, janë parashtruar disa propozime: Rimbursimi automatik i TVSH-së për fermerët, duke kaluar nga parapagimi në doganë në kompensim pas shitjes. Rritja e kontrollit në import-eksport për të reduktuar varësinë nga importet (aktualisht raporti është 3:1 në favor të importeve). Investime në ujitje dhe infrastrukturë bujqësore. Forcimi i standardeve dhe cilësisë për të rritur konkurrencën në tregjet ndërkombëtare./tvklan.al