Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kanë urdhëruar ngritjen e një hetimi pas zjarrit të madh në një nënstacion elektrik që mbylli aeroportin Heathrow.
Qeveria britanike ka urdhëruar Operatorin Kombëtar të Sistemit të Energjisë, i cili është përgjegjës për rrjetin e energjisë elektrike dhe gazit të vendit, të hetojë incidentin. Gjetjet fillestare të hetimit pritet të bëhen të ditura brenda gjashtë javësh.
“Ne jemi të vendosur të kuptojmë siç duhet atë që ndodhi dhe çfarë mësimesh duhen nxjerrë”, shkroi sekretari i Energjisë Ed Miliband në një deklaratë në X.
Aeroporti Heathrow ka ngritur gjithashtu hetimin e tij për ngjarjen, i cili do të drejtohet nga Ruth Kelly, një ish-sekretare transporti në Mbretërinë e Bashkuar dhe anëtare e bordit të aeroportit.
Sipas ekspertëve të aviacionit, hera e fundit që aeroportet evropiane u përballën me një ndërprerje kaq të madhe ishte kur një vullkan islandez shpërtheu në vitin 2010, duke dërguar një shtëllungë hiri vullkanik në qiell që detyroi rreth 100,000 fluturime të ndaloheshin.
Më shumë se 1,300 fluturime u anuluan dhe afërsisht 200,000 pasagjerë u bllokuan të premten pas një zjarri në një nënstacion që ndodhej 3.2 km larg nga Heathrow.
Ndërprerja e energjisë preku gjithashtu më shumë se 60,000 prona.
Klan News