Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar probleme të shumta në kryeqytetin rumun. Në Bukuresht janë shkaktuar dëme materiale për shkak të ngricave të krijuara.

Temperaturat nën zero gradë Celsius kanë ngrirë edhe pemët, duke bërë që shumë prej tyre të rrëzohen në rrugë e mbi makina. Sipas mediave lokale, mesnatën mes të premtes dhe të shtunës ka patur më shumë se 960 raste të denoncuara nga qytetarët, të cilët kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve. Mbi 120 makina janë dëmtuar për shkak të rrëzimit të pemëve. Ministria e Brendshme e Rumanisë njoftoi sot se 740 pemë kishin ngrirë dhe u rrëzuan në rrugë.

Trafiku është rënduar si pasojë e motit të keq, ndërsa transporti publik i tramvajit është bllokuar. Nga kjo situatë e pazakontë janë raportuar 1752 raste në urgjencë. Qytetarët kishin pësuar dëmtime nga rrëzimi i pemëve dhe shtyllave që kishin ngrirë. Mes tyre kishte edhe nga ata me trauma në kokë. Autoritetet lokale kanë ndërhyrë duke hedhur kripë në rrugë për të shkrirë akullin.

/tvklan.al