Përzgjidhet sërish për të luajtur një ikonë të Perandorisë Osmane

Sezoni i ri televiziv në Turqi rikthen në ekran aktorin e njohur shqiptar Nik Xhelilaj. Ai do të jetë pjesë e serialit më të ri që nis së shpejti transmetimin në televizionin publik TRT. Djaloshi shqiptar do t’i japë jetë një personazhi historik ndërsa do të jetë në rol dytësor në këtë produksion të ri të kinematografisë turke.

Seriali trajton historinë e fisit Selçuk, një nga më të rëndësishmit në ngritjen e Perandorisë Osmane me beteja të shumta të fituara. Nik Xhelilaj do të jetë pjesë e një kasti mjaft të zgjedhur aktorësh si Engin Koç, i njohur në rolin e Sulltan Ahmetit në serialin Sulltanesha Kosem që është transemtuar në Tv Klan apo edhe Hatixhe Shendil mjaft e preferuar nga shqiptarët nga seriali ‘Një pjesë e imja’, që po ashtu është transmetuar në Tv Klan.

Ende nuk dihet se cili personazh historik i është besuar Nik Xhelilajt, pasi nga seriali i parë është shfaqur vetëm fragmenti i parë prezantues ndërsa pritet që seriali të jetë në ekran duke nisur nga Shtatori.

Kjo nuk është hera e parë që Nik Xhelilajn e shohim në seriale turke. Së fundi, ka qenë pjesë e serialit ‘Kryeqyteti Abdulhamid’, që aktualisht po transmetohet për shikuesit shqiptarë në ekranin e Klan Plus. Po ashtu ka qenë pjesë e serialit ‘Qyteti i Humbur’ si dhe ka patur rol protagonist në serialin ‘Frymëmarrje’, serial në të cilin ishte anëtar i një organizate terroriste.

I riu nga Tirana ka bërë për vete shikuesit, si dhe mediat e showbizzit që janë bërë kuriozë për të dhe jetën e tij. Më e rëndësishmja, të gjithë flasin fjalë të mira për aktorin shqiptar.

Klan Plus