Kandidatja republikane: Ish-presidenti ose është në anën e Putin ose nuk i duket e rëndësishme humbja e opozitarit rus

Kandidatja republikane për presidente Nikki Haley  ka kritikuar ashpër kundërshtarin e saj republikan Donald Trump për heshtjen ndaj lajmit të vdekjes së kritikut të Vladimir Putin, Aleksi Navalni.

“Ose ai mban anën e Putinit dhe mendon se është mirë që Putin vrau një nga kundërshtarët e tij politikë  ose thjesht ai mendon se kjo nuk është një gjë kaq e rëndësishme. Secila prej tyre është shqetësuese. Secila prej tyre është problem.”

Gjatë një intervistë për ABC News ajo u shpreh se vdekja e 47-vjeçarit ishte një mundësi për liderët politikë në SHBA për t’i kujtuar popullit amerikan se Vladimir Putin nuk është miku i Uashingtonit.

Ish-ambasadorja e OKB-së komentoi edhe deklaratat e Trump të bëra në një fjalim të fushatës në Karolinën e Jugut,  ku ai u shpreh se Uashingtoni nuk do të mbronte ato vende që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen duke theksuar faktin se deklarata të tilla i shërbejnë vetëm Rusisë.

“Ai mbajti anën e një personi që vret kundërshtarët e tij politikë, ai mbajti anën e një banditi që arreston gazetarët amerikanë dhe i mban peng. Ai mbajti anën e një personi që donte të jepte një mesazh të qartë, mos më sfidoni në zgjedhjet e ardhshme ose kjo do t’ju ndodhë edhe juve.”

Klan News