Është refuzuar edhe kërkesa e fundit e ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikola Gruevski.  Këshilli Penal ka konfirmuar vendimin për dënimin me 2 vite burg për ish-kreun e VMRO-DPMNE-së të akuzuar për shpërdorim me rreth 600 mijë euro në blerjen e makinës “Mercedes” të blinduar, të njohur si rasti “Tanku”.

Sapo Gruevskit do t’i dorëzohet vendimi ai duhet të paraqitet në burgun e Shkupit. Burime të Klan Maqedonisë thanë se ende shërbimet e Gjykatës Penale nuk kanë mundur ta gjejnë Gruevskin, por të hënën ai duhet të paraqitet në gjykatë për një tjetër çështje ku është i pandehur.

Ish-Kryeministri është ankuar edhe në Gjykatën Supreme, por vendimi i saj nuk pritet të dalë shpejt. Me vendimin e Gjykatës Penale janë shterur të gjitha mundësitë juridike për anulimin e dënimit me burg.

Ish-Kryeministri Gruevski edhe në burg do ta marrë pagën e deputetit pasi në seancën plenare të Kuvendit nuk kishte shumicë prej dy të tretash për t’ia hequr mandatit të deputetit.

Partia e tij VMRO-DPMNE akuzoi se gjyqësori po vepron nën ndikimin politik të kryeministrit Zoran Zaev, por nga LSDM-ja reaguan duke u shprehur se çdo qytetar është i barabartë përballë vendimeve të gjykatave.

Tv Klan