Protestën e saj kundër kandidaturës së Lindita Nikollës si kryetare të Kuvendit, opozita e nisi duke grisur fletët e votimit.

Kur me 79 vota pro ajo u zgjodh në krye të parlamentit, deputetët opozitarë u larguan nga salla.

E teksa kryetarja e re mbante fjalën në foltoren e Kuvendit, kreu i opozitës Lulzim Basha, në një prononcim për gazetarët jashtë parlamentit nuk i kurseu akuzat ndaj mazhorancës.

“Brenda në sallë ndodhen sot njerëzit që kanë minuar demokracinë shqiptare duke nisur nga Edi Rama, shkatërruesi i zgjedhjeve, i inistitucioneve të pavarura, rendit kushtetues. Para drejtësisë duhet të ishin bashkë me të monstrat e korrupsionit, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri, të kapur në flagrancë në manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2016 dhe në manipulimin e zgjedhjeve të 25 Prillit. Para drejtësisë duhet të ishte dhe Ttaulant Balla, kryeshefi i bandave të Elbasanit, njeriu që bota mbarë e dinë që figuron në listën e zezë të Interpolit si një nga pikat kyçe të pastrimit të parave dhe të trafikut të drogës.

Jashtë kësaj salle dhe para drejtësisë duhet të ishin po kështu të gjithë ata që kanë grabitur djersën e shqiptarëve, duke u pasuruar si sheikë me mafian e inceneratorëve, mafia që i ka mbyllur gojën e mediave të pavarur. Kjo nuk është mazhorancë, por pakica e krimit dhe e drogës. Kemi një dhe vetëm një detyrë, këtë sallë dhe gjithçka jashtë kësaj salle ta kthejmë në një fushëbetejë për qytetarët shqiptarë deri në mposhtjen e këtij regjjimi që ka marrë peng Shqipërinë. Sot mund të duket e vështirë për të folur për këtë betejë, por një gjë është e sigurt, pakica që ka marrë peng shumicën e shqiptarëve është dhe mbetet pakicë. Detyra jonë është që shumicën e shqiptarëve ta mobilizojmë në një betejë pa kthim. Detyra ime dhe e shqiptarëvve është të bëjmë gjithçka kundër të keqes”, tha Basha./tvklan.al