Shemben disa objekte në Velipojë dhe Ksamil

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i mbështetur edhe nga Policia e Shtetit nisi aksionin për prishjen e objekteve pa leje në vijën bregdetare.

Operacioni  filloi nga Velipoja dhe Ksamili për të vijuar me prishjen e objekteve zonë pas zone.

Në ditën e parë të aksionit në Velipojë deri në orët e pasdites fadromat kanë shembur 3 objekte që ndodheshin në brendësi të zonës turistike.

Aksioni është zhvilluar pa probleme dhe Inspektorati nuk ka hasur në rezistencë apo kundërshtimin e pronarëve të tyre.

Mjetet e rënda të IKMT-së shembën edhe disa ndërtime pa leje në Ksamil, në afërsi të bregut të detit. Këtë të hënë aty u shkatërruan 9 ndërtesa.

Aksioni i IKMT, sipas kryeministrit Edi Rama është për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë përpara përgjegjësisë shkelësit e ligjit përgjatë vijës bregdetare.

Në zonën e Velipojës janë planifikuar të prishen rreth 15 objekte të tilla, ndërsa në Ksamil rreth 30.

Sipas IKMTndërtimet pa leje që do të shemben variojnë nga 1 deri në 5 kate, me struktura beton-arme dhe të lehtësuara.

Tv Klan