Bashkia e Tiranës, e mbështetur nga vullnetarë e qytetarë të Tiranës, ndërmori sot një aksion pastrimi në të 24 Njësitë Administrative të kryeqytetit. Aksioni nisi në orën 8.00 të mëngjesit, nga Kombinati, me pastrimin e varrezave të Sharrës, e më pas vijoi në të gjitha njësitë administrative, të cilat janë organizuar në zona të përcaktuara më parë nga Bashkia e Tiranës.

 Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, fillimisht iu bashkua aksionit të pastrimit në Kombinat, e më pas kaloi në Njësinë Administrative 8, në zonën e njohur si “Serat”, ku edhe falenderoi të gjithë qytetarët që vendosën t’i bashkohen aksionit të pastrimit.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku vlerësoi punën e bërë deri më tani nga ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se Tirana aktuale është shumë herë më e pastër nga ajo e një viti më parë.

 “Sot Tirana është shumë më e pastër dhe besoj të gjithë e pranojnë këtë, por kemi mundësi për më mirë. Më jep shumë shpresë fakti se ka një brez të rinj qytetarësh, të cilët çështjen e pastrimit e kanë shumë për zemër edhe me shpresë do të sjellin një transformim të një gjenerate, e cila mendon më me kujdes për natyrën”,

tha ai.

Nisur edhe nga reshjet e fundit ku mbeturinat shkaktuan mjaft probleme në bllokimin e kanalizimeve, Veliaj u kërkoi qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e plastikës.

“Mund të na ndihmojnë edhe ata që nuk kanë dale për pastrim, mjafton të mos bëjnë pis. Të reduktojmë përdorimin e plastikës, e ambalazheve të tepërta”,

tha ai.

Veliaj deklaroi se në Dhjetor do të nisë punën edhe kompania publike, një bashkëpunim mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Veronës, për pastrimin e kryeqytetit, ndërkohë që janë porositur edhe mjete të tjera me qëllim përmirësimin e kushteve.

Edhe Drejtoresha e Politikave dhe Edukimit Mjedisor në Bashkinë e Tiranës, Diana Mile, ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme që Tirana të jetë gjithmonë e pastër, jo vetëm për festat. Ndërkaq, aksioni i pastrimit nga ndërmarrjet e bashkisë dhe qytetarët për heqjen e mbetjeve do të vijojë gjatë gjithë ditës./tvklan.al