Të parët qytetarët mbi 60 vjeç, mjekët dhe të sëmurët kronikë

Në Maqedoninë e Veriut ka nisur aplikimi i dozës së tretë të vaksinës anti-Covid. Doza e tretë mund të merret së paku gjashtë muaj pas dozës së dytë. Pas skadimit të këtij afati qytetarët do të njoftohen përmes mesazheve.

Për fillim, doza e tretë rekomandohet për qytetarët mbi 60 vjeç, për punonjësit shëndetësor dhe për të sëmurit kronik.

Vaksinimi me doza të Pfizerit bëhet pa një termin të caktuar dhe pa marrë parasysh se me cilat vaksina ka qenë imunizimi me dy dozat e para.

“Sot filluam procesin e vaksinimit me dozën e tretë  për grupin e qytetarëve që kanë pranuar dy doza dhe kanë kaluar gjashtë muaj pas dozës së dytë, ky është grupi i qytetarëve të kategorive të caktuara, personat mbi 60 vjeç, personat nën 60 vjeç që vuajnë nga sëmundjet kronike, gjendje imunodeficitare ose sëmundje në të cilat është përfshirë transplantimi i organeve, si dhe pacientët që janë në dializë. Gjithashtu janë të përfshirë edhe punonjësit medicinalë, nga institucionet publike dhe ato private”.

Në ditën e parë, deri në mesditë, interesimi nuk ka qenë gjithaq i kënaqshëm për dozën e tretë.

“Sot konkretisht kemi pasur 10 ose 15 qytetarë që e kanë pranuar dozën e tretë, ky është grup i qytetarëve që dy dozat e para i kanë pranuar jashtë vendit dhe i plotësojnë kushtet për dozën e tretë”.

Megjithatë, qytetarët që kishin ardhë për t`u rivaksinuar, të pyetur për dozën e tretë, thonë se gjithçka duhet të jetë me rekomandim të autoriteteve të shëndetësisë.

-Çfarë mendoni për dozën e tretë?

-“Nuk kam ç’ka mendoj, nëse është e nevojshme, ka njerëz profesionist që flasin”.

-“Erdha që të vërtetoj certifikatën e vaksinimit nga jashtë shtetit. Besoj në shkencë, besoj që gjithçka ç’ka bëjnë e bëjnë për më mire. Shpresoj që suksesi do të jetë më i madh nëse merret doza e tretë”.

Të gjithë personat mbi 60 vjec, personeli mjekësor si dhe personat që kanë sëmundje të caktuara me vërtetim nga specialisti do të mund të marrin dozën e tretë të vaksinës anti-Covid. Në sallën Boris Trajkovski deri në mesditë dozën e tretë e kanë pranuar rreth 15 qytetarë.

Klan Macedonia