Situatë e rëndë për shkak të fluksit në spitale

Dita e parë e masave të ashpra bllokuese në Gjermani nisi me rekordin më të errët ditorë të viktimave. 952 persona humbën jetën 24-orëshin e fundit, çka përbën edhe shifrën më të lartë të viktimave ditore mes vendeve të Bashkimit Evropian.

Bilanc i errët viktimash nga pandemia në Gjermani u shënua ditën e hyrjes në fuqi të karantinës kombëtare. 952 të vdekur u shënuan këtë 24-orësh në vend, siç njoftoi instituti Robert Koch, agjencia kryesore qeveritare që merret me regjistrimin dhe studimin e shifrave të COVID-19ës në vend. Bëhet fjalë jo vetëm për shifrën më të lartë të viktimave ditore por edhe për gati dyfishin e të vdekurve në një ditë krahasuar me rekordin e shënuar javën e kaluar.

Shtimi i vazhdueshëm i numrit të viktimave është tregues i shtimit të presionit në spitale që në shkallë vendi janë në prag kapërcimit të kapaciteteve për shkak të dyndjes së të infektuarve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Situatë e rëndë është veçanërisht në spitalet e rajoneve të Saksonisë dhe Bavarisë.

E Marta ishte dita e dyndjes së qytetarëve nëpër qendra tregtare dhe dyqane për të bërë blerjet e fundit para mbylljes deri më 10 Janar. Mbyllur do të jenë edhe shkollat dhe të gjitha aktivitetet jo jetike. Bankat dhe ushqimoret do të vijojnë të jenë të hapura, ndërsa institucionet fetare do të funksionojnë me kufizime, ku besimtarët do të ruajnë 1.5 metër distancë.

Shifra të larta viktimash u shënuan gjatë orëve të fundit edhe në vende të tjera të botës.

Tv Klan