Punëtorët bllokojnë portet e mëdha

Italia u përfshi nga protesta e greva në mbarë vendin, për shkak se nga kjo e Premte, punonjësit e sektorit publik dhe privat duhet të paraqesin certifikatën e gjelbër që të vazhdojnë punën.

Punëtorët e portit të Triestes pezulluan punën. Ata nuk lejojnë automjetet të hyjnë në port, në shenjë proteste kundër certifikatës. Për ta kanë ardhur edhe furnizime me ushqime, pasi pritet që greva të jetë e gjatë.

Të njëjtën gjë bënë edhe kolegët e tyre në Xhenova, një tjetër port i rëndësishëm i vendit.  

Protesta nga punonjësit edhe në shumë qytete të vendit, si në Romë, Milano e Napoli. Vendimi i qeverisë Dragi e bën Italinë të parin vend në Europë që me certifikatën e gjelbër prek një pjesë të madhe të popullsisë.

Qeveria italiane beson se ata punonjës që nuk e kanë certifikatën e gjelbër janë pakicë, 15% e të punësuarve në privat dhe 8% e atyre të sektorit publik. Dhe kush nuk paraqet certifikatën e gjelbër, nga ky 15 Tetor pezullohet nga puna pa të drejtë pagës dhe gjobitet me deri 1500 euro nëse përpiqet të punojë në shkelje të rregullave.

Tv Klan