Ka nisur në Bruksel takimi ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe për targat. Lajmin e ka konfirmuar ndërmjetësi i BE-së për bisedime Miroslav Lajcak. Ai pret që brenda 6 muajsh palët të kenë zgjidhje konkrete për targat.

“Sot në mëngjes mirëprita delegacionin e ekspertëve për takimin e parë të grupeve punuese për targat, siç ishim pajtuar më 30 Shtator. Grupi i kryesuar nga këshilltarët e mi do të takohet rregullisht. Besoj se ata do të prezantojnë gjetjet konkrete brenda gjashtë muajsh”,
ka thënë Lajcak.

Ky është takimi i parë pas marrëveshjes në Bruksel për formimin e komisioneve nga të dyja palët për të diskutuar për çështjen e targave. Në takimin e 30 Shtatorit në Bruksel palët ishin dakordësuar që t’i jepnin fund bllokadës afro dy javëshe në veri, pasi pala kosovare kishte vënë masa reciprociteti ndaj Serbisë për targat.

Qeveria kishte dërguar njësinë speciale në veri derisa banorët lokalë serbë atje patën barrikaduar rrugët me kamionë duke kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për targat.

Si pasojë përreth dy javë ishin të bllokuara rrugët që të çonin në dy pikat kufitare Jarinjë e Bërrnjak. Ndërsa me marrëveshjen e Brukselit palët ishin dakordësuar që të vendosen etiketa ngjitëse në targa për të mbuluar simbolet e shteteve. 

Tv Klan