Veliaj: Jemi finalistë për titullin “Qyteti Europian i Sportit 2023”

Mbahet edicioni i 6 i Maratonës së Tiranës.

Në nisje të eventit më të madh sportiv në qytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj teksa përshëndeti garuesit dha edhe lajmin se vitin tjetër Tirana është finaliste e Qytetit Europian të Sportit.

Erion Veliaj: Jemi finalistë për të qenë Qyteti Europian i Sportit 2023. Nëse do ia dalim, shpresoj si gjithmonë, do kemi më shumë ditë si kjo. Dua  t’u japim një duartrokitje të gjithë atyre që kanë kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, shqiptarët kudo ku janë. Shumë faleminderit 33 përfaqësuesve nga 33 shtete. Faleminderit që keni ardhur në Tiranë. Shpresoj që do të ktheheni prapë me familjet, herën tjetër si turistë, si sipërmarrës dhe ndoshta si rezidentë dhe shtetas të rinj të republikës sonë.

Vetë kryebashkiaku ka zgjedhur të vrapojë në mbështetje të personave me aftësi ndryshe.

“Ju lutem shfrytëzoni edhe këto banaqet mediatike. Boll i kanë pasur analistët, ta zërë secili për kauzën e tij, të sensibilizojë njerëz, të flasë, të komunikojë, të tërheqë dëshmitarë dhe mbështetës, aktivistë të tjerë te kauza e tij! Unë këtë vit do vrapoj për Special Olympics Albania. Dua të falënderoj Landin që drejton Special Olympics, të gjithë çunat e gocat me aftësi ndryshe. Të gjithë janë engjëjt tanë dhe në qytetin tonë secili meriton sukses në bazë të talentit dhe mbështetjes që jep secili prej nesh, por cilado qoftë kauza ndihuni të lirshëm që ta promovoni dhe të rekrutoni të tjerë në kauzën tuaj”.

Gara e Maratonës së Tiranës është e ndarë në katër kategori: “Marathon” gara e plotë që i dedikohet profesionistëve, “Half Marathon”, për ata që duan të sfidojnë veten, “Tirana 10K” ku garojnë kryesisht të apasionuarit pas maratonave, por jo profesionistë dhe kategoria “We Too” që është gara për personat me aftësi ndryshe.

Tv Klan