Ka nisur mbrëmjen e sotme kampionati më i rëndësishëm i Europës, Euro 2020. Ceremonia hapëse e Euro 2020 dhuroi një show të vërtetë. Të pranishëm ishin edhe ambasadorët e këtij Europiani, Francesco Totti e Alessandro Nesta. Po ashtu për herë të parë në një ceremoni të Europianit u përdorën efekte virtuale.

Ndeshja e parë e këtij kampionati luhet në stadiumin “Olimpico” të Romës mes Italisë dhe Turqisë.

Për shkak të masave anti-Covid stadiumet nuk do të mbushen plot me tifozë, por do të kenë një kapacitet më të reduktuar. Për të hyrë në stadium të gjithë tifozët duhet të kenë një certifikatë vaksinimi ose një test për Covid të kryer brenda 48 orëve të fundit.

Turneu do të mbahet në 11 qytete të ndryshme të Europës të shpërndarë në të gjithë kontinentin. Në këtë edicion marrin pjesë 24 skuadra ashtu si kampionatin e kaluar me Maqedoninë e Veriut dhe Finlandën që janë debutuese.

UEFA do të shpërndajë 331 milionë euro 24 skuadrave pjesëmarrëse, 30 milionë më shumë se ai i mbajtur në Francë në 2016.

Përfaqësuesja që do të ngrejë trofeun do të përfitojë 30 milionë euro. UEFA nuk do ta ndjejë këtë shumë parash, pasi Europiani pritet të sjellë 2 miliardë Euro arkëtime, nga të cilat 850 milionë parashikohen të jenë fitime./tvklan.al