Bën bashkë ekspertë dixhitalë nga e gjitha bota

Nis në Tiranë Festivali “Digital Nomad”, një event tre ditor që mbledh bashkë ekspertë digjitalë nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të ndajnë përvojat e tyre me profesionistë, sipërmarrës dhe novatorë të rinj, që aktualisht eksplorojnë botën e teknologjisë dhe punës në distancë.

Në konferencën për shtyp, së bashku me të ftuarit e festivalit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i lumtur që kryeqyteti shqiptar, më në fund, po bën një kapërcim të madh drejt teknologjisë dhe inovacionit. Veliaj tha se qytete si Tirana kanë origjinalitetin e tyre dhe pikërisht për këtë janë kthyer edhe në qytete atraktive për turistët, por edhe për aktivitete të këtij niveli.

Kreu i Bashkisë tha se ashtu sikurse edhe ky festival mjaft i rëndësishëm, që erdhi në Tiranë në vitin kur kryeqyteti ynë është shpallur edhe Kryeqyteti Europian i Rinisë, evente të tjera të mëdha, mbi 1000 të tilla, janë organizuar dhe pritet të organizohen në vijim.

“Tirana ka pasur 1000 aktivitete këtë vit. Patëm festivalin Sunny Hill të Dua Lipës, apo koncertin e Rita Orës. Pak më parë organizuam finale e Conference League. Kur pamë në Sevilje njerëzit që nuk kishin ujë për të pirë, kurse në Paris 15 mijë huliganë hynë pa bileta, thashë: Ne nuk jemi keq, porn a duhet pak vetëbesim. Së pari, të mos shajmë veten tonë dhe të jemi ne agjentë marketingu të Shqipërisë, të Tiranës. Po nuk fole mirë ti për gjënë tënde, kush do flasë? Së dyti, të rekrutojmë gjithë këtë skuadër këtu, me njerëz që e dinë si bëhet kjo punë dhe që mund të jenë pjesë e një kori avokatie për Shqipërinë dhe për Tiranën. Ndaj, besoj fort se nëse kjo ngjarje, ky aktivitet, ky festival prodhon këtë fabul, pra prodhon këtë tregim të asaj që kemi arritur,” nënvizoi Veliaj.

Ai tha se epiqendra e këtij transformimi ndodhet sot si një monument i gjallë në qendër të kryeqytetit shqiptar, Piramida, që po shndërrohet në qendrën më të madhe të teknologjisë në Ballkan.

“Vetëm fakti që Piramidën, që është ndoshta metafora më e bukur e transformimit të Shqipërisë, – po e kalojmë nga një mauzoleum i diktatorit, në qendrën më të madhe të IT-së, teknologjisë së informacionit, kodimit, elektronikës, robotikës, besoj se vetëm historia e asaj ndërtese, tregon tranzicionin më mirë se kushdo; pra pika ku ne kthejmë dhe ku realisht nisim një trend të një Tirane që nuk ndalet, për të qenë ndoshta jo një qytet “i ri-i vjetër”, por një qytet origjinal”, e mbylli Veliaj fjalën e tij./tvklan.al