Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ishte i pari që hapi forumin ekonomik të Shkupit, si mikëpritësi i radhës së këtij samiti mes vendeve të rajonit.

Gjatë fjalës së tij, Zaev foli për projektet e përbashkëta të Minishengenit Ballkanik, duke theksuar se nuk do të presin më Bashkimin Europian deri sa të zgjidhin problemet e tyre të brendshme.

Zoran Zaev: Dëshira jonë politike është shprehje e përpjekje ve tona maksimale që t’i sigurojmë të gjitha mundësitë për një bashkëpunim efikas rajonal.  Mossuksesi i BE për të plotësuar premtimet për hapjen e negociatave është kundër idesë evropiane, kundër interesave të BE dhe kundër me përcaktimet me anëtarësimet në unionin europian jo vetëm për Shqipërinë  e Maqedoninë e Veriut por edhe Serbinë e Malin e Zi. Por ne nuk mund të presim të zgjidhen gjithë problemet e brendshme të BE. Shpresoj se BE do të gjejë mënyra që të sigurojë financim. Jam këru për një rajon që sot do të pasqyrohet me një emër të ri. Të gjithë i japim një impuls të ri hapësirës ekonomike të tregut ekonomik. Tregu i ndërlidhur ka për qëllim që të hapë nisma të reja ndaj rajonit tonë. Me harmonizimin e politkave të investimeve do të krijojmë një dukshmëri të potencialeve të ekonomive në rajon që të tërheqin investime direkte nga jashtë. Rajonet tona kanë potencial të madh. Ne kemi për detyrë të bëjmë gjithçka të domosdoshme që të njihen burimet tona në rajon dhe do bëjmë edhe BE e SHBA të jenë pjesë e zhvillimit të këtyre burimeve. Vullneti i fuqishëm politik dhe mbështetja që morën nga shtete në rajon për bashkëpunim rajonal është nisma e jonë autentike dhe tregojmë një lidership të qartë politik. Jam i bindur se kjo do njihet si nismë për respekt si në Bruksel ashtu edhe në Uashington. Jemi të hapur për të gjitha nismat. Ky është një proces autentik i përbashkët prej Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, mirëpo është i hapur edhe për vendet e rajonit dhe i ftojmë popujt tanë të bashkohen.

I dyti në radhë ishte Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili theksoi se duke filluar nga 1 Janari i vitit 2023, në vendet e rajonit nuk do të ketë më kufinj.

Presidenti Vuçiç: Kur e nisëm këtë nismë na u duk se është diçka më e mirë për të ardhmen. Shqipëria dhe Serbia asnjëherë nuk kanë qenë në marrëdhënie aq të afërta. Megjithatë vendosëm të kthehemi nga e ardhmja dhe duhet t’u lëmë diçka atyre që vijnë pas nesh. Dy vitet e kaluara kemi zhvilluar një besim të sinqertë ndërmjet. Nuk jemi naiv të mendojmë se dikush do punojë në favor të shteteve tona nëse ne nuk e bëjmë vetë këtë. Të demonstrojmë se jemi të aftë dhe të mos presim se dikush do na udhëheqë, drejtojë, se jemi të gatshëm të marrim përsipër fatin tonë dhe të punojmë në interes të qytetarëve tanë. Gjithçka që propozoi Zaev e pranuam, atë që propozoi Rama e pranuam, atë që unë propozova u pranua. Në qoftë se realizojmë diçka që nuk është në favor të Shqipërisë apo Maqedonisë nëse ne mund të kalojmë kufirin pa u ndaluar pa na kontrolluar aspak, nuk do të ketë ndalje. Nëse ja dalim të bëjmë këtë për 1 vit e gjysmë, ne kemi vende të pavarura dhe sovrane. E dini çfarë nënkupton kjo për transportin? Do keni 6-9 % shpenzime më të ulëta operative për shkak se nuk ka ndalesë ndërmjet vendeve. Duhet të shohim si do të sigurojmë qasjen, hyrjen që kanë të bëjnë me TVSH-të. Megjithatë ky është shpëtimi për ekonomitë tona. Të tre vendet tona do mbyllin vitin me 76 miliarëdë Euro prodhim bruto. Nëse ne do të bëjmë këto, më 1 Janar 2023 ne nuk do të kemi kufij ndërmjet vendeve tona.

Kurse Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se bashkëpunimi mes 4 vendeve të Ballkanit synon të njëjtat liri themelore që ka edhe Bashkimi Europian.

“Shpresoj që sot të jetë një ditë e mirë për të gjithë ata që kanë ardhur jo vetëm nga Shqipëria e Serbia por edhe nga Mali i Zi, Kosova, Bosnja, Kroacia edhe nga Greqia. Këtu janë të pranishëm ata që krijojnë punë dhe duan të shkojnë më tutje. Kjo nismë është gjëja e duhur dhe jo vetëm është gjëja e duhur, por ndryshe nga çfarë predikojnë disa është edhe e vonuar. Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnjë aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona është i dënuar të jetojë në të shkuarën. Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën.

Ne duam të projektohemi në të ardhmen përmes një nisme që nuk shpik asgjë të re por sjell në këtë rajon shembull kuptimplotë që është shembulli i BE duke synuar jetësimin e 4 lirive themelore të BE; të lëvizjes së njerëzve, mallrave, së kapitaleve, të lëvizjes së shërbimeve. Në fund të ditës në momentin që integrohemi në BE do bëjmë ekzaktësisht këtë që bëjmë sot pa BE. Pra nesër si pjesë e BE nuk do ketë më diskutime të mundshme nëse këto 4 liri do zbatohen në rajonin tonë. Është sa për të ardhur keq edhe për të qeshur kur dëgjon edhe evropianë që pyesin me çudi që çfarë po bëni ju. Ne nuk mundet dot që të lexojmë shifra, fakte të vëna para syve tanë nga organizma financiare ndërkombëtare, ku thuhet se nëse duam të rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar ne mund ta rrisim deri në 2.5% vetëm nga integrimi ekonomik ndërkohë që nëse ne arrijmë nivelin e marrëveshjes europiane të tregtisë së lirë prodhimi ynë mund të shkojë 6.7% në rritje.

Dhe pse duhet t’ja privojmë vetes këtë mundësi të jashtëzakonshme duke ndenjur secili brenda hapësirës së vetë të vogël. Nuk kemi pse presim që integrimin e rajonit nga pikëpamja e 4 lirive të Europës ta bëjmë pasi të kemi hyrë në BE. Ne do ta bëjmë tani. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është nismë ekskluzive e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo është nismë e hapur për të gjithë”.

Kryeministri Rama u ktheu përgjigje edhe skeptikëve të Minishengenit Ballkanik, për të cilët tha se nuk mund të presin askënd por do të vazhdojnë përpara me axhendën, duke i ftuar që kushdo mund t’i bashkohet kësaj nisme. E duke folur për kundërshtarët e Minishengenit, Kryeministri theksoi se ky nuk është projekt i menduar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, dhe as Serbia nuk është përfituesja më e madhe.

“Ne nuk mund të presim konsensus për t’u takuar, se ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë karikaturë ballkanke të BE këtu që çohet njëri dhe thotë unë vë VETON këtu dhe nuk duhet të takoheni. Ne nuk kemi luksin të humbasim kohë se kemi humbur shumë , kemi humbur shekuj. Kemi jetuar gjatë me kënaqësinë e vuajtjes së të tjerëve. Nuk kemi parë asnjëherë se çfarë fitojmë ne nga bashkëpunimi. Kush thotë që kjo është nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të rikompensuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë e do vijë të na marri çfarë kemi, jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu duhet të themi që dhe BE është një Jugosllavi e madhe.

Nëse BE është Jugosllavi e madhe, atëherë po kjo është një Jugosllavi e vogël. Por në fakt jo. Për çfarë arsye të gjithë kamionët e mallrave që qarkullojnë në këtë rajon duhet të harxhojnë më shumë kohë në kufij se sa në udhëtim. Për Shqipërinë kjo nismë është strategjike. Brenda vitit të ardhshëm i gjithë sistemi i qarkullimit të njerëzve, kapitaleve të jetë 100% i njehsuar me BE. Madje kemi rënë dakord që do fusim edhe sistemin e informacionit mbi pagesat e TVSH-së”.

Rama ftoi sërish Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën që t’i bashkohen Minishengenit Ballkanik në mënyrë që i gjithë rajoni të thithë investime nga Bashkimi Europian dhe organizma financiare ndërkombëtare.

“Nuk e kuptoj Mali i Zi për çfarë mendohet? Po Bosnja për çfarë mendohet? Sepse e di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe duhet të bëjmë maksimumin në këtë proces për njerëzit e tyre dhe për të gjithë së bashku. Dëgjoj patriotët e Shqipërisë që thonë hekurudha. Cila hekurudhë? Cilët janë investitorët që do hedhin fondet për hekurudhën nëse treni shkon në një destinacion brenda për brenda kufijve tanë. Kush do vijë të investojë?

Ku gjenden këta budallenj që janë gati të hedhin paratë për të financuar një sektor që dihet se jeton me subvencione shtetërore. Nëse ne së bashku kemi fuqinë dhe vullnetin të ndërtojmë një projekt të përbashkët dhe të trokasim në dyert e organizmave financiare ndërkombëtare dhe të themi urdhëroni rrjetin hekurudhor të gjithë Ballkanit, por gjithë volumi i lëvizjes justifikon investimin”. /tvklan.al