Ka nisur procesi i garës ndërkomëbtare për parkun e ri fotovolkaik të Spitallës. Sipas kryeministrit Rama ky projekt do të rrisë kapacitetet e energjisë diellore.

Sipas Ramës ky është vetëm hapi i parë në zonën e Durrësit. Procesi i rindërtimit, por edhe porti i ri i mallrave, sipas tij do të ndryshojë qytetin bregdetar.

“Me këtë park bëjmë vetëm hapin e parë që do të shoqërohet me një sërë hapash të tjerë duke filluar nga lagja e re e rindërtimit, që do të jenë po aq mbresëlënëse sa shkollat e reja që po rindërtohen. Porti i ri i mallrave, për të cilin së shpejti do të hapet gara ndërkombëtare dhe do të mundësojë çlirimin e aktivitetit kaq shumë vjeçar të transportit detar të mallrave në zemër të qytetit për t’i hapur rrugë transformimi të portit të vjetër në port të madh turistik që do i japë Durrësit magnetin e fuqishëm jo vetëm për të tërhequr më shumë turistë dhe për të krijuar një kategori të munguar të turizmit në pikëpamje të volumit që është turizmi elitar, por edhe do të mundësojë Durrësin si një pikë e rëndësishme në Mesdheun turistik”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se periudha e pandemisë ka frenuar e ka bllokuar shumë procese, por se shpreson që javën e ardhshme mund të zhbllokohet procesi për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës.

“E konsideroj një tjetër gur shumë të rëndësishëm në mozaikun e përgjithshëm të Shqipërisë që ne përfytyrojmë dhe luftojmë dita ditës që ka kemi si një realitet të plotësuar në këtë 10-vjeçar ku kemi hyrë”, shtoi ai. /tvklan.al