Nis gjyqi i madh kundër terroristëve të Shtetit Islamik




Nis gjyqi i madh kundër terroristëve të Shtetit Islamik

16:40 09/09/2021

Para gjykatësve, xhihadistët që vranë 130 të pafajshëm në 2015-ën në Paris

Përreth selisë së gjyqësorit në Paris, masat e sigurisë janë tepër të ashpra. Prej të Mërkurës, aty ka nisur gjyqi kundër ish-anëtarëve të organizatës terroriste të Shtetit Islamik, përgjegjëse për serinë e sulmeve të nëntorit 2015, nëpër kryeqytetin francez që i morën jetën 130 të pafajshmëve. Shumica e viktimave u regjistruan në teatrin Bataklan.

Përpara gjykatësve dalin 20 persona, pjesëtarë të celulës terroriste të drejtuar nga Salah Abdeslam, 31-vjeçari me origjinë familjare marokene, i cili u arrestua 4 muaj pas sulmeve në Paris në të tjera akte terroriste në Bruksel. Pjesëtarë të të njëjtës celulë akuzohen edhe për sulme në vende të tjera të Europës, si ai i 2016-ës në Gjermani.

Jo të gjithë pjesëtarët e celulës janë paraqitur në gjyq. Një pjesë e mirë e tyre janë vrarë në sulme vetëvrasëse ose në betejat e Shtetit Islamik në Irak e Siri.

Në hapje të gjyqit, Abdeslam e përshkroi veten si ushtar i Shtetit Islamik, ndërsa u ankua për keqtrajtim nga autoritetet e burgjeve franceze. Procesi që krahasohet me atë të Nyrembergut, pritet të zgjasë për disa muaj.

Tv Klan













Të ngjashme