Gjykata e Tiranës çeli sot procesin e të pandehurve të katër çështjeve për kontrabandë të cilat do të gjykohen të bashkuara. Hetimet kanë nisur që në vitin ’97 e këtej, nga prokuroritë e rretheve ku është kryer vepra penale, përkatësisht në Vlorë, Kukës, Pukë dhe Laç.

17 janë të pandehurit me akuzën e kontrabandës së mallrave të akcizës, cigareve dhe pijeve alkoolike.

Hetimet për çështjen e krimit ekonomik janë përfunduar nga Prokuroria e Përgjithshme, ajo përfaqësohet nga prokurori Bilbil Mete, i cili në seancën e parë lexoi emrat e të pandehurve dhe akuzën që rëndon ndaj tyre. Të gjithë janë në gjendje të lirë, pasi disave u kanë mbaruar afatet e paraburgimit.

Po në këtë proces do të shqyrtohet edhe padia civile e depozituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Ajo ka paditur Seit Fishtën për mos pagim të detyrimit doganor për rreth 53 milionë lekësh të vjetra. Ndërsa nga kalimi i mallrave kontrabandë prej të pandehurve të tjerë doganat kanë pësuar një humbje prej më shumë se 52 milion lekësh të vjetër.

I gjithë detyrimi doganor sipas akuzës së kësaj çështjeje është më shumë se 100 milion lekë. Një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, do të jetë i pranishëm në procesin gjyqësor.

Gjatë seancës u caktuan avokatët e të pandehurve. Ata që kanë qenë të pranishëm e zgjodhën vetë avokatin mbrojtës, ndërsa për të gjykuarit në mungesë mbrojtjen e caktoi trupi gjykues i çështjes që kryesohet nga Artur Gaxha./tvklan.al