Në Gjykatën e Lartë u hap shqyrtimi gjyqësor në ngarkim të Deputetit Armando Prenga, i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje, armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Në seancë e kësaj të premte u lexua kërkesa për gjykimin dhe prokuroria ritheksoi se sherri mes fiseve Prenga – Cali, ka si motiv pronësinë e Lagunës së Patokut.

Prokuroria kërkoi që në gjykatë të pyeten 75 dëshmitarë.

Do deponojnë pjestarë të dy fiseve të përfshira në konflikt, dëshmitarë të tjerë, si dhe policët e Komisariatit të Kurbinit, të cilët kanë qënë në shërbim ditën e ngjarjes.

Prenga akuzohet për plagosjen me armë pa leje të Tom dhe Nikollë Calit.

Në akuzë thuhet se deputeti i ka kanosur pjesetarët e familjes Cali, duke u thënë se do t’i zhdukte si fis.

Por avokati Baftjar Rusi u shpreh se Armando Prenga nuk ka qenë i pranishëm në sherrin e ndodhur para Komisariatit të Policisë së Kurbinit, ku ka ndodhur edhe plagosja me armë zjarri.

Ai kërkoi eksperiment hetimor për të provuar se deputeti nuk ishte prezent dhe aq me pak të ketë qëlluar me armë pa leje.

Në datën 21 Mars do të pyeten disa dëshmitarë dhe gjykata do të vendosë nëse do pranojë kërkesën për eksperimentin.

Tv Klan