Gjykata e Kurbinit pranon procesin e shkurtuar

Ish-polici i forcave operacionale, Jeton Lami, i akuzuar për shpërdorim detyre pasi rezultoi se shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, ka nisur përballjen me gjykatën.

Kjo e fundit ka kaluar dosjen për gjykim duke konfirmuar akuzën e ngritur ndaj tij dhe ka pranuar ta gjykojë atë me procedurë të shkurtuar. Në këtë mënyrë, në rast të shpalljes fajtor, Lami do të përfitojë ulje të dënimit, teksa procesi ndaj tij është në fazën e konkluzioneve përfundimtare.

28-vjeçari Lami u arrestua në gusht të 2022, disa ditë pas nisjes së hetimeve për zhdukjen e Ervis Martnajt. Ndjekja e gjurmëve të Martinajt në atë kohë në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, si porositës i një vrasje që nuk u realizua, tregoi se si Jeton Lami e shoqëronte atë me makinë, duke i prenotuar edhe një dhomë hoteli në Durrës. 

Ish-efektivit iu ofrua bashkëpunim me drejtësinë për të dhënë informacion për zhdukjen e të shumëkërkuarit, por pretendoi se nuk kishte asnjë dijeni.

Ndërkohë, Prokuroria e Kurbinit ka ende të hapura hetimet për “Rrëmbim dhe mbajte peng personi” për Ervis Martinajn.

Tv Klan