Me pranga në duar një ditë pasi janë mbushur një vit që janë arrestuar Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç po ulen në bankën e të akuzuarve për seancën fillestare gjyqësore për sulmin e Banjskës.

Bashkë me ta akuzohen edhe 42 persona të tjerë përfshirë edhe udhëheqësin e grupit, Milan Radoiçiç.

Seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve është shtyrë për 9 Tetor pasi avokatët e të akuzuarve  kërkuan më shumë kohë për të lexuar shkresën e lëndës dhe provat e Prokurorisë.

Paraprakisht gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë e ka veçuar procedurën  penale ndaj të akuzuarve  të cilët gjenden nën masën e paraburgimit.

Kurse, për Milan Radoiçiçin dhe të akuzuarit tjerë, gjykatësi Arben Hoti tha se do t’i drejtohen Gjykatës Supreme për opinion për të parë nëse për veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit mund të aplikohet gjykimi në mungesë.

Avokati Arianit Koci e ka quajtur kompleks gjykimin.

Nuk ishte e mundur për ne, që të përgatitemi në një kohë kaq të shkurtër. Nuk na kanë dorëzuar aktakuzën deri më sot, kështu që ata nuk e dinë se për çfarë akuzohen.

Tre të akuzuarit që po mbahen në paraburgim që nga arrestimi, janë pjesë e grupit prej 45 personash që ishin identifikuar nga Prokuroria e Kosovës si përgjegjës të tentativës për ta aneksuar veriun e Kosovës në shtator të vitit të shkuar ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Ndaj tyre rëndojnë veprat penale si “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Sipas aktakuzës, shteti i Serbisë ia vuri në dispozicion grupit të Radoiçiçit infrastrukturën ushtarake dhe i ofroi armë.

Tv Klan