Një 36-vjeçar që po hynte në Shqipëri nga Londra është kapur në Rinas me 31 700 Paund të padeklaruara.
Gjatë kontrollit, Policia Kufitare i gjeti paratë të fshehura në çantën e shpinës dhe atë në brez.
Ai nuk i kishte deklaruar shumën siç e kërkon ligji, ndaj paratë u sekuestruan dhe ndaj tij ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të vendit, me objektiv parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë goditur një tjetër rast të mosdeklarimit në pikën e kalimit kufitar, të shumave të konsiderueshme të parave. Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin që vinte nga Londra, A. H., 36 vjeç, të cilit nga kontrollet, iu gjetën në çantën e shpinës dhe në atë të brezit, 31 700 paunde që synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjit”, njoftuan uniformat blu.
Policia nënvizon se kontrollet do të vijojnë me intensitet, me qëllim parandalimin e çdo tentative për futjen e paligjshme të vlerave monetare në territorin shqiptar./tvklan.al