Qytetarët paraqiten vetëm me një kartë identiteti

Ka nisur këtë të hënë  në mbarë vendin java e vaksinimit të hapur. Për 7 ditë me radhë çdo qytetar mbi 18 vjeç mund të vaksinohet në çdo qendër shëndetësore, apo edhe pikë të vaksinimit që funksionon në vendin tonë.

Për t’u imunizuar çdo i interesuar nuk ka nevojë të bëjë aplikim apo të rezervojë vaksinim, pasi mjafton që të paraqesë pranë punonjësve shëndetësor vetëm një kartë identiteti.

Për shkak edhe të pushimeve verore, nëpër qendrat e vaksinimit dhe pikat e përqendruara nuk ka patur fluks qytetarësh.

Krahas vaksinimit në qendrat shëndetësore dhe pikat e organizuara të imunizimit masiv, ekipet shëndetësore do të vijojnë edhe vaksinimin derë më derë për personat që nuk kanë mundësi të lëvizin.

Shqipëria ka marrë deri më tani mbi 1 milion e gjysmë vaksina dhe ka injektuar në popullatë mbi 1 milion prej tyre.

Tv Klan