Në Vatikan nisi pasditen e sotme konklava që do të përcaktojë kreun e 267-të të Selisë së Shenjtë, njeriun që do të pasojë Papa Françeskun në kyre të Kishës Katolike, i cili ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare.

133 kardinalë me të drejtë vote u mbyllën në kapelën sistine këtë pasdite, pasi bënë secili më vete pas orës 16.30 betimin me dorën mbi Bibël për ruajtjen e sekretit për gjithçka diskutohet në konklavë. Kardinalët nuk dalin prej andej deri kur nga oxhaku të dalë tym i bardhë, që do të njoftojë zgjedhjen e Papës së ri. Gjatë kësaj periudhe, ata nuk kanë asnjë kontakt me botën e jashtme. Kardinalët pjesëmarrës kanë parashikuar më herët që kjo konklavë të mos zgjasë më tepër se 3 ditë.

Mbylljes në kapelës sistine i parapriu paraditen e sotme një meshë publike në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku morën pjesë gjithë kardinalët, përfshirë ata nën 80-vjeç me të drejtë vote.

Kreut të kolegjit të kardinalëve Xhovani Batista Re që drejtoi meshën, u lut që konklava të zgjedhë Papën për të cilin kisha dhe njerëzimi kanë nevojë në këtë pikë të vështirë kthese në histori.

Sekretariaktual i shtetit të Vatikanit, kardinali italian Pietro Parolin është një figurë favorite, si një prej bashkëpuntorëve më të afërt të Papa Françeskut, një pontifikat që solli ndryshime të mëdha në kishën katolike, rruga e të cilit synohet të vazhdohet. Megjithatë gjatë këtyre ditëve kanë qarkulluar nëpër media me dhjetëra pretendentë potencialë.

Masat e sigurisë përreth selisë së shenjtë janë të larta dhe garantohen nga 4 mijë trupa sigurie. Në qiejt mbi Vatikan është vendosur zona e ndalim fluturimit dhe është aktivizuar edhe sistemi antidron.

Tv Klan