Ashtu siç ishte parashikuar, këtë të premte ka nisur qarkullimi i automjeteve në bypass-in e Vlorës. Bëhet fjalë për përfundimin provizor të punimeve, që megjithatë pritet të çlirojë trafikun për pushuesit në Radhimë dhe në hyrje të Vlorës.

Gazetari i Klan News udhëtoi bashkë me grupin e xhirimit për të parë nga afër këtë bypass.

Të gjitha ata që duan të përshkojnë 29 kilometrat e plota në segmentin rrugor të bypass-it të Vlorës, sinjalistika rrugore është e finalizuar, por ende nuk janë vendosur tabelat në hyrjen e rrethrrotullimit midis Orikumit dhe Dukatit, po ashtu edhe te hyrja në përfundim të autostradës Levan-Vlorë, pasi do të vendosen gjatë ditës së sotme. Në segmente përkatës janë vendosur edhe semaforët. Drejtuesit e automjeteve të rënda nuk do të lejohen të kalojnë përgjatë këtij segmenti rrugor për shkak të vazhdimit të punimeve që mund të vështirësojnë lëvizjen.

Hapja është provizore dhe punimet do të vazhdojnë për muajt në vazhdim deri në hapjen e plotë. Në orët në vijim, do të inaugurohet edhe nga Kryeministri Rama. Ndërkohë vihet re një lehtësim dhe shfryrje e trafikut për të gjithë ata që i drejtohen zonës së Jugut për të pushuar në ditët e pushimeve verore.

Përshtypjet e para për qytetarët kanë qenë ndalja në vende të bukura për të shkrepur foto, sidomos në zonën e Kaninës, gjatë vendqëndrimeve të caktuara për makinat, mund të ndalosh dhe të shohësh pamje fantastike, detin e Vlorës, Lungomaren dhe është e njëjtë me panoramën e Llogarasë. Ofron një panoramë të jashtëzakonshme dhe shumë nga ata që i janë drejtuar bregdetit të jugut nuk ngurruan të ndaleshin për ta shijuar./tvklan.al