Mos përfshirja nga PD e asnjë prej deputetëve të LSI në 3 grupet parlamentare të ngritura prej saj ka bërë që 4 deputetët e partisë së Monika Kryemadhit të mos ishin të përfaqësuar në asnjë nga Komisionet Parlamentare në seancën plenare për konstituimin e tyre.

Veç Grupit Parlamentar socialist me 74 deputetë, demokratët për të rritur përfaqësimin në konferencën e kryetarëve zgjodhi të ketë 3 grupe:  një të drejtuar nga Alfred Rrushaj, një nga Fatmir Mediu ku janë të përfshirë aleatët si Vangjel Dule, Agron Duka e Dashamir Shehi përfshirë 3 deputetë demokratë dhe një tjetër të drejtuar nga Mesila Doda.

Por duke qenë se rregullorja e Kuvendit ka të përcaktuar se Grupi Parlamentar që të formohet nevojiten 7 deputetë 4 deputetë e LSI e kanë të pamundur të formojnë një të tillë, nëse aleatët e tyre demokrat nuk i ndihmojnë.

E pikërisht mos përfaqësimi e këtyre 4 deputetëve në emrat e propozuara për komisione është bërë shkak për debate në Kuvend që u shoqërua me bojkotin e parë për këtë legjislature të opozitës.

Propozimi i Ballës pasi u hodh në votim mori mbështetjen e shumicës, çka ka bërë që Lulzim Bashe të shfaqej me tone të ashpra kundër kryeparlamentares së re.

Të vetmit që nuk bojkotuan ishin 4 deputetët e LSI. Pas seancës Balla i kujtoi demokratëve se shumica janë socialistët dhe duhet reflektuar dhe në përbërjen e komisioneve dhe konferencës së kryetarëve.

Ndërkohë Sali Berisha ka deklaruar se është pjesë e Grupit Parlamentar Demokrat por në emrat që PD ka regjistruar në Kuvend emri i tij nuk figuron.

Përpara seancës kryeministri Rama ka ripërsëritur porosinë për deputetët e tij që të shmangin çdo debate të panevojshme parlamentare me opozitën.

Tv Klan