Në muajin Shkurt hapen thirrjet për kreditë e buta

Ndërtimi i dy shkollave të reja në zonën e “Don Boskos” pritet t’i japë fund mësimit me dy turne në këtë zonë. Punimet për shkollën e mesme “Kristo Frashëri” dhe atë 9-vjeçare “Vaçe Zela” u inspektuan edhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ai tha se ndërtimi i tyre është parashikuar të përballojë edhe rritjen demografike në vitet e ardhshme.

“Më vjen mirë për 1500 fëmijë që do të frekuentojnë këto mjedise mësimore sepse do të ndjekin kopshtin aty që në moshën 5-vjeçare, deri sa të mbarojnë gjimnazin. Ne po përgatisim pjesën e infrastrukturës, ndërkohë që bashkë me Ministrinë e Arsimit do të bëjmë përgatitjet për stafin mësimor, që semestrin e dytë të vitit tjetër apo ndoshta për një pjesë edhe më herët, të kemi mundësi të bëjmë një transferim nga shkollat që janë të mbingarkuara”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Ndërkohë, Veliaj njoftoi se duke nisur nga muaji Shkurt do të hapen edhe thirrjet për kreditë e buta.

“Duke filluar nga muaji tjetër, bashkë me Entin Kombëtar të Banesave, do të hapim një thirrje për 1000 kredi të reja të buta. Siç kemi parë nga thirrja e parë, që patëm me 1000 kreditë e para, kryesisht kanë qenë këto lloj zonash, pra midis Unazës së Tretë dhe Unazës së Pestë të Tiranës, zona që kanë ndërtime të reja dhe të përballueshme sa i përket fuqisë së kredisë, por edhe fuqisë që mund të paguajë një familje e re”.

Kredia e butë i ofron mundësinë familjeve dhe çifteve të reja për të marrë një shtëpi të re, në zona me akses në shkolla, kopshte apo çerdhe.

Tv Klan