Fabrika do të prodhojë 30 mln doza në vit për të furnizuar edhe vendet e rajonit e të Europës

Ka nisur  në Serbi ndërtimi i  fabrikës së parë në Evropë, ku do të prodhohet vaksina kineze anti-Covid-19 Sinopharm.

Guri i parë i themelit për fabrikën e re u vu nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç në prani të ambasadorit kinez Chen Bo.

Fabrika është planifikuar të prodhojë 30 milionë doza vaksinash çdo vit duke filluar në Prill 2022, dhe pritet të furnizojë Serbinë dhe disa vende të rajonit dhe Evropës me vaksinat e  zhvilluara nga Kina.

“Ne nuk do të furnizojmë vetëm Serbinë, por edhe shumë vende të rajonit dhe në Evropë, dhe besoj se do të jemi në gjendje të shpëtojmë shumë jetë. Kjo është një ndërmarrje e madhe për vendin tonë. ”

Vuçiq u shpreh  se ishte krenar që Serbia, së bashku me partnerët nga Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe është në gjendje të zgjidhë disa nga problemet globale.

“Serbia do të ketë një nga fabrikat më moderne të vaksinave. Jam krenar që jemi përpjekur të zgjidhim disa nga problemet rajonale dhe botërore … së bashku me partnerët tanë kinezë dhe emiratanë”.

Ambasadori kinez tha gjatë  ceremonisë  se bashkëpunimi për vaksinën COVID-19 është i favorshëm për përgjigjen e përbashkët ndaj pandemisë COVID-19, si dhe promovimin e zhvillimit ekonomik.

Vaksinat kineze, përfshirë Sinopharm dhe Sinovac, janë miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) për përdorim urgjent.

Duke siguruar vaksinat nga burime të shumta, Serbia ishte një nga vendet e para evropiane që nisi vaksinimin masiv të popullsisë së saj. Sidoqoftë, fillimi i vaksinimit është ngadalësuar kohët e fundit, për shkak të niveleve të larta të skepticizmit ndaj vaksinave.

Klan News