Ka nisur në Arabinë Saudite, takimi i parë mes kryediplomatëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe ekipeve të tyre, që shënon fillimin e bisedimeve për paqen në Ukrainë. Bisedimet përqëndrohen tek gjetja e një zgjidhjeje për fundin e luftës në Ukrainë dhe rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Rusisë të ngrira që me nisjen e këtij konflikti në vitin 2022.
Kremlini njoftoi se bisedimet mund të qartësojnë një takim të mundshëm mes presidentëve Donald Tramp dhe Vladimir Putin, ndërsa ritheksoi kufijtë e negociatave se Ukraina mund të anëtarësohet vetëm në Bashkimin Europian dhe jo në NATO.
Nga kjo fazë bisedimesh është përjashtuar Bashkimi Europian, ndërsa nuk pati një ftesë për Ukrainën. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen zhvilloi këtë të martë një takim me të dërguarin special të Uashingtonit për Ukrainën, Keith Kellog, i cili pak ditë më parë tha prerazi se BE-ja nuk ishte e përfshirë në këtë proces.
Në një postim në rrjetin ‘X’, Fon der Lajen kërkoi partneritet me Shtetet e Bashkuara për një paqe të drejtë dhe afatgjatë për Ukrainën. Kellog është shprehur më herët se askush nuk do i imponojë Ukrainës një marrëveshje paqeje. Kjo pasi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se nuk do të njohë asnjë marrëveshje paqeje ku pala ukrainase nuk është e përfshirë.
Ndësa liderët europianë nuk arritën në samitin urgjent të Parisit, të binin dakord për dërgimin e paqeruajtësve në Ukrainë. Propozimin e mbështetur nga kryeministri britanik e hodhi poshtë kancelari gjerman, i cili tha se është e rrezikshme që aleatët të dërgojnë trupa në Ukrainë pa mbështetjen amerikane.
Tv Klan