Ka nisur sot në Gjykatën e Tiranës procesi gjyqësor ndaj zëdhënësit të Partisë Demokratike Edi Paloka. Ka skaduar masa e arrestit 10 ditor që prej ndalimit të tij, Paloka i vetëm është risjellë nga toga e shoqërimit në sallat e Gjykatës për të nisur procesin ku sot nuk u lejuan asnjë nga kamerat e televizioneve. Pjesëmarrje dhe organizim të mitingjeve të paligjshme, thirrje për veprime të dhunshme dhe kundërshtim ndaj forcave të rendit, kanë qenë tre akuzat që prokurori Etjen Kapo ka artikuluar kundër Palokës duke ia dorëzuar gjyqtarit të çeshtjes Fehmi Petku.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Palokës i cili nuk ka pranuar asnjë nga akuzat. Avokati i tij Neshat Fana i ka kërkuar gjyqtarit Petku gjykim të shkurtuar që sipas tij nuk duhet shumë kohë për një proces të tillë. Kjo kërkesë nuk është kërkuar nga trupi gjykues. Me pas me kërkesë të prokurorit Kapo kanë dëshmuar tre policë të repartit 712, prezentë natën e ndalimit nga policia të Berishës. Ata kanë dëshmuar se nuk kanë kontrolluar makinën ku ndodhej Paloka pasi ai ishte në makinat e para, kështu nuk dinë asgjë rreth akuzave të tij.

Prokurori Kapo ndërkohë i ka kërkuar trupit gjykues të dorëzojë disa prova materiale, raportin e shoqërimit dhe ndalimit nga policia të Palokës si dhe dorëzohet një kasetë në të cilin Paloka bën thirrje për t’u nisur para institucioneve si dhe për të hipur mbi bustin e Skënderbeut. Ndërkohë që mbrojtja ka kërkuar të dëshmojë Sokol Mulosmani, Kolin Gjoka dhe të gjithë truprojat e Berishës. Për dy të parët gjyqtari Petku nuk ka pranuar duke lejuar vetëm bodiguardët të dëshmojnë.

Pas një ndërprerje të shkurtër që u shfrytëzua për të parë sekuencat filmike të kasetës së paraqitur nga prokurori Kapo, Paloka tha se ai është thjesht një zëdhënës dhe se oraret për mitingje i vendos kryesia e partisë. Ndërkohë që pohoi se ka marrë pjesë në mitingje, por që sipas tij nuk janë të paligjshme. Këtu u ndërpre seanca duke e lënë për nesër në orën 11:00./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj