Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi: Jemi të pafajshëm

Kjo e hënë shënoi ditën e parë të gjyqit ndaj ndaj 4 ish-krerëve të UÇk-së të akuzuar për krime gjatë luftës së Kosovës, në vitet 1998 -1999. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi deklaruan se janë të pafashëm para gjykatësve. 

Prokurorët e dhomave të specializuara për krimet e luftës në Kosovë i njohën ata me akuzat e ngritura ndaj tyre, për krijim dhe drejtim të “organizatave kriminale” që kanë pasur në shenjestër “kolaboracionistët”, tradhtarët apo kundërshtarët politikë. Sipas tyre, 4 ish-udhëheqësit janë përgjegjës për ndalim të paligjshëm dhe dhunim mizor të mbi 400 personave, 102 prej të cilëve që konsideroheshin kundërshtarë ndërruan jetë nga torturat. 

Ndër të tjera, prokurori James Pace foli për rastin e ndalimit të tre personave në një qendër ndalimi në Prizren, dhe ka inkriminuar drejtpërdrejt në zhdukjen e dy “kundërshtarëve” të UÇK-së nga një qendër e pretenduar e ndalimit në Drenoc. Në Likoc, sipas tij, të ndaluarit u akuzuan se ishin “tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë”, ngjashëm sikurse në Llapushnik dhe Jabllanicë, pretendoi Pace. Sipas prokurorit, Thaçi dhe Sabit Geci i cilësuan personat e ndaluar në Jabllanicë si “rugovistë” dhe kërkuar që ata të hiqnin dorë nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova. Të ndaluarit u vlerësuan se ishin “kolaboracionistë”.

Më herët, prokurori Aleks Uiting u kujdes të sqarojë se procesi nuk shenjestron gjithë anëtarët e UÇK-së. 

Alex Whiting – prokuror i specializuar: Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetave. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza.

Avokati i viktimave, Simon Laws, tha se procesi gjyqësor, duhet të përqëndrohet në atë që të zbulohet e vërteta dhe po ashtu është e rëndësishme “që të pranohet faji”. 

Sipas prokurorëve, të paktën 20 persona janë ende të zhdukur. Krimet mendohet të jenë kryer në të paktën 40 vendndodhje në gjithë Kosovën, të përcaktuara edhe në këtë hartë. Provat, sipas aktakuzës gjendjen në komunikatat e lëshuara nga vetë UÇK-ja. 

Në ditët në vijim do të flasin edhe avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së e më pas do të pyeten qindra dëshmitarë dhe do të paraqiten fakte, në një proces që parashikohet të përmbyllet pas 2 vitesh, kur do të jepet edhe vendimi për 4 ish-krerët e UÇK-së.

Tv Klan