Ushtria në shërbim të pandemisë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 23-të miratoi vendimin për ekzistimin e gjendjes së krizës në territorin e vendit, për shkak të mbrojtjes së shëndetit publik në kushte të pandemisë së COVID-19 dhe për parandalimin e përhapjes së virusit. Nga e shtuna në mbrëmje Maqedonia e Veriut zyrtarisht është në gjendje krize.

Shtabi kryesor do të jetë trupi që do të koordinojë të gjithë luftën kundër pandemisë me COVID-19 në gjendje krize. Do të koordinojë 80 shtabe lokale krizash nëpër Komuna, të cilët do të marrin vendime se çfarë resursesh nevojiten edhe nga sektori shtetëror dhe privat në territorin e tyre që në mënyrë më të lehtë dhe më dinamike të përballet kriza.

Autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë kanë vënë kontaktet e para me spitalet private, për vënien e tyre në dispozicion të shtetit. Ndërkaq, Presidenti Stevo Pendarovski ka dhënë “dritë jeshile” për kyçen e armatës në përkrahje të organeve të rendit dhe institucioneve shëndetësore.

Gjendja e krizës për 30 ditë, në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, i mundëson Armatës t`i jep përkrahje policisë dhe institucioneve shëndetësore – ka shkruar në Facebook Presidenti Stevo Pendarovski, duke shtuar se Sipas menaxhimit me krizën Armata do t`i ndihmojë policisë në sigurimin e objekteve strategjike, spitaleve, por edhe në sigurimin e depove të ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore.

Ndërkohë, numri i të infektuarve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut edhe më tej është shumë i lartë. Sipas raportit të fundit të autoriteteve shëndetësore ishin evidentuar 1237 raste të reja dhe 39 viktima. Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve është 52.449, kurse i viktimave 1462, kurse për momentin evidentohen 20.035 raste aktive. Shkupi dhe Tetova vijojnë të jenë qytetet më të prekura me raste aktive.

Tv Klan