Shkreli: Treni do të jetë me naftë. Bileta 1.5-2 euro

Pas një vit bllokimi, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dha konfirmim për vazhdimin e garës së ndërtimit të hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas. 

Zv/ministri i Infrastrukturës Artan Shkreli sqaron se qeveria ka bërë thirrjen e dytë për përzgjedhjen e kompanisë që do të kryejë punimet e kësaj vepre.

Në fazën e parë u paraqitën oferta nga 25 shoqëri, 10 prej të cilave janë kualifikuar për të bërë ofertën teknike dhe financiare.

“Për të papriturat që dalin gjatë punimeve qoftë edhe të papriturave sa i përket zgjatjeve kohore ose shtimeve financiare, nuk merren më në konsideratë, por konsiderohen “çëlësa në dorë” nga kompania kontraktuale”, shprehet Artan Shkreli.

Ofertat do të hapen më 25 Shkurt dhe llogaritet që punimet të nisin më prill të vitit të ardhshëm. Zv/ministri Shkreli sqaron se edhe afatet për përfundimin e punimeve shtyhen automatikisht për në Prill të vitit 2022, për shkak të vonesës së tenderit. Kompanitë e kualifikuara thotë ai, janë ndërkombëtare.

“Do duhen 20 muaj për përfundimin e hekurudhës dhe 4 muaj për kolaudimin e saj”.

Treni nuk do të jetë elektrik, por me naftë.

“Duhet bërë në një mënyrë të tillë që në momentin që të bëhet të mos ketë punime shtesë. Të jetë i gatshëm për t’u elektrifikuar”

Terminali për mallrat dhe pasagjerët planifikohet të jetë në afërsi të rrethrrotullimit “Shqiponja” e më pas treni do të ketë një degëzim për në Rinas dhe hekurudha vazhdon për në Durrës.

Shpejtësia llogaritet të arrije deri 120 kilometër në orë. Vepra do të kushtojë 90 milionë euro ndërsa çmimi i biletës llogaritet të mos jetë më i lartë se 1.5 deri në 2 euro.

Tv Klan